Joaquin Phoenix mbajti një fjalim plot emocion në skenën e çmimeve Oscar, ku u nderua me statujën e artë si aktori më i mirë për rolin e tij në filmin “Joker”.
Jam shumë mirënjohës në këtë moment. Unë nuk ndihem më lart se asnjëri prej kandidatëve të tjerë këtu, sepse ne kemi të përbashkët të njëjtën dashuri - kjo është dashuria për filmin. Dhe kjo formë shprehjeje më ka dhënë një jetë të jashtëzakonshme. Nuk e di se ku mund të isha pa të.
Por unë mendoj se dhurata më e madhe që më është dhënë mua dhe shumë njerëzve në [këtë industri] është mundësia të përdorim zërin tonë për ata që nuk kanë zë. E kam vrarë mendjen shpesh për disa nga çështjet shqetësuese me të cilat po përballemi të gjithë.
Unë mendoj se në disa raste ne ndihemi ose jemi krijuar të ndiejmë se mbrojmë kauza të ndryshme. Por unë shoh shumë gjëra të përbashkëta. Unë mendoj, qoftë nëse flasim për pabarazi gjinore ose racizëm, ose të drejtat e komuniteteve queer1 ose ato të indigjenëve apo të kafshëve, ne po flasim për luftën kundër padrejtësisë.
Ne po flasim për luftën kundër besimit se një komb, një popull, një racë, një gjini, një specie, ka të drejtë të sundojë, përdorë dhe kontrollojë një tjetër pa u ndëshkuar.
Unë mendoj se jemi shkëputur shumë nga bota natyrore. Shumë prej nesh janë fajtorë për një botëkuptim egocentrik, dhe ne besojmë se ne jemi qendra e universit. Ne hyjmë në botën natyrore dhe ia plaçkitim asaj burimet. Ne na duket e drejtë të fertilizojmë artificialisht një lopë dhe t’i marrim të voglin, edhe pse klithmat e saj dhe ankthin i kuptojmë shumë mirë. Pastaj i marrim qumështin që ajo prodhon për viçin dhe e hedhim në kafenë dhe drithërat tona çdo mëngjes.
Ne i druhemi idesë së ndryshimit personal, sepse mendojmë se duhet të sakrifikojmë diçka nëse e bëjmë; të heqim dorë nga diçka. Por qeniet njerëzore në të mirën e tyre janë plot kreativitet, dhe ne mund të krijojmë, zhvillojmë dhe zbatojmë sisteme ndryshimi të dobishme për të gjitha qeniet e ndjeshme dhe mjedisin.
Unë kam qenë i pasinqertë gjatë gjithë jetës sime, kam qenë egoist. Ndonjëherë kam qenë mizor, njeri i vështirë për të punuar, dhe jam mirënjohës ndaj atyre që ndodhen këtu sonte dhe më kanë dhënë një mundësi të dytë. Unë mendoj se kjo ndodh kur jemi në më të mirën tonë: mbështesim njëri-tjetrin. Jo kur e përjashtojmë njëri-tjetrin për gabimet tona të së kaluarës, por kur ndihmojmë njëri-tjetrin të rritet. Kur edukojmë njëri-tjetrin; kur e drejtojmë njëri-tjetrin drejt shëlbimit.
Kur ishte 17 vjeç, vëllai im [River] shkruajti këto vargje. Ai tha: "vraponi drejt shpëtimit me dashuri dhe paqja do të vijë më pas".
1 Queer është një term që përmbledh pakicat seksuale dhe gjinore që nuk janë heteroseksualë. Fjala ka pasur fillimisht kuptimin “ çuditshme" por nisi të përdorej në kuptimin pexhorativ për njerëzit me tërheqje ose marrëdhënie të të njëjtit seks në fund të shekullit të XIX



