
Avokatja Adriana Kalaja, e ftuar në “Të Paekspozuarit” në MCN, e quajti arrestimin e Erion Veliajt një veprim të vonuar, por të domosdoshëm. Ajo theksoi se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kishte denoncuar tenderin e paracaktuar për ndërtimin e teatrit dhe se SPAK kishte regjistruar kallëzimin e tyre. Kalaja shtoi se çështja ishte dërguar edhe në Strasburg dhe se ky rast është jetik për drejtësinë në vend.
“Jo, realisht, unë s’kam kompleks që ta shpreh. U kënaqa pafund, megjithatë mendoj që ishte një aksion i vonuar. Por siç thuhet, më mirë vonë se kurrë.
Kam një konsideratë të madhe për zonjën Xama për denoncimet e saj, të cilat shpesh kanë hasur në kundërshtime dhe sulme. Për mua, kritikat janë tregues që po bëjmë diçka të duhur.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka bërë një kallëzim ndaj Erion Veliajt për mënyrën e zhvillimit të tenderit për ndërtimin e teatrit. Sipas provave që kemi administruar, gara ishte e paracaktuar dhe fituesi ishte vendosur paraprakisht.
Me 21 dhjetor 2022, ne protestuam në sheshin e teatrit, pasi u njoftua nisja e punimeve, në një projekt me vlerë rreth 19 milionë euro. Kemi kërkuar nga Bashkia e Tiranës dokumentacionin teknik të projektit, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje.
SPAK ka regjistruar kallëzimin tonë ndaj Erion Veliajt, Gentian Sulës dhe punonjësve të Bashkisë që janë përgjegjës për këtë projekt. Ne kemi dërguar të gjitha të dhënat edhe në Gjykatën e Strasburgut, duke argumentuar se punimet po zhvillohen në kundërshtim me një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Kemi kërkuar pezullimin e punimeve 41 herë dhe nesër do të kërkojmë sërish për të 42-ën herë. Kjo çështje është thelbësore jo vetëm për teatrin, por për mënyrën se si menaxhohet drejtësia dhe shteti në vendin tonë.”



