Zyrtarisht nga sot Italia ka një qeveri të re që do të drejtohet nga kreu i saj, Mario Draghi. I pari që dha betimin ishte kryeministri Draghi, duke u bërë kreu i 67-të i qeverisë italiane. Më pas, betimi vijon për ministrat pa portofol dhe më pas ata me portofol.
Një betim ndryshe nga ai që ka ndodhur në çdo rast tjetër të ngjashëm, ku gjithë të pranishëm ishin me maska dhe nuk pati shtrëngime duarsh. Shtatë emra të qeverisë Conte, përfshirë ministrin e Shëndetësisë, Speranza, atë të Brendshëm, Lamorgese dhe atë të Jashtëm, Di Maio, mbeten në vendin e tyre. Nga qeveria e re lind Ministria e Tranzicionit Ekologjik, që i është besuar fizikantit Roberto Cingolani.
Betimi u bë në Quirinale përpara Presidentit Sergio Mattarella. Ai u shfaq në Quirinale me një dosje jeshile, ndërsa pyetjes së gazetarëve që nëse është gati për aventurën e re, ai u përgjigj vetëm duke tundur kokën.
Një ditë më parë u prezantua kabineti i ri qeveritar më shumë politikë, sesa teknik. Kabineti ka në përbërjen e tij 23 ministra, me 15 burra dhe 8 gra.



