Pano Soko nga Nisma Thurje foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi prokurimet publike, duke theksuar se Komisioni i Prokurimit Publik është një nga hallkat që duhet të mbajnë përgjegjësi në lidhje me tenderat në Shqipëri.
Soko vë në dukje se në tendera kriteri i garës mungon. Ai shton se gara manipulohet duke vendosur terma reference që i përshtaten një kompanie, dhe këto duhet të monitorohen nga KPP-ja dhe KLSH-ja.
“Problematika ka prapa njerëz. Problemet ndodhin sepse disa njerëz i lejojnë, i stimulojnë dhe praktikisht do duhet që dikush të mbajë përgjegjësinë. Komisioni i Prokurimit Publik është një ndër hallkat, bashkë me agjencinë, të gjitha këto hallka duhet të mbajnë përgjegjësi. Është një komision apelues, ku zakonisht rrëzon apo miraton procedura që janë miratuar më para nga Agjencia e Prokurimit Publik.
Një institucion do të blejë makina për institucionin, më APP shpallet kërkesa, njoftimi. Organizohet tenderi, shpallet fituesi, vijohet me lidhjen e kontratës. Pritet disa ditë nëse ka apelime në KPP. Me tenderat në Shqipëri ka pasur problematikë të jashtëzakonshme, 70-80 për qind i kemi me flamuj të kuq. Kriteri i garës aty mungon.
Qeveria e ka detyrim ligjor që për çdo blerje të organizojë një garë, sepse do duhet të arrijë produktin më të mirë me çmimin më të mirë. Në momentin kur manipulohet gara, këtu bie arma e fortë që ka konkurrenca. Gara manipulohet duke vendosur terma reference që i përshtaten një kompanie.
Këto duhet t’i shohë KPP, KLSH, të gjitha janë instanca që këtë monitorojnë. Kemi pasur një përfshirje të të gjitha këtyre institucioneve, që lejojnë që termat e referencës i përshtaten një kompanie. Kjo është çështjeve e vullnetit publik. Kur vendos fondin limit 3 milionë lekë dhe shitjen e bën po 3 milionë lekë, ose një lekë më poshtë, kuptohet që ka një marifet brenda, s’është garë e lirë”.



