
Provimi i tretë i Maturës Shtetërore, përkatësisht asaj të matematikës, ka ngjallur debate në mesin e maturavtëve të cilët janë shprehur se ishte shumë i vështirë.
Një ditë pas testit, Qendra e Shërbimeve Arsimore ka dalë sot në një deklaratë për mediat, ku përfaqësuesja e QSHA-së tha se teza e provimit nuk kishte asnjë gjë jashtë programit mësimor, ndërsa shtoi se nxënësit e mirë nuk kanë pasur asnjë vështirësi.
“Nxënësit e mirë nuk kanë pasur vështirësi. Pjesën tjetër mund ta zgjidhnin me studim shenje, me grafik apo pikë provë. Nga korrigjimi do shohim se si kanë reaguar në këto teste. Teza është e nivelit mesatar, nuk ka asgjë jashtë programit. S’ka asnjë gabim shkencor. Sa i përket asaj që thonë; e përkthyer. Tekstet janë të përkthyera. Polinomet janë ato që janë, nuk është çështje kopjimi dhe nuk janë të nivelit të Cambridge. Pasi kanë parë skemën e provimit do jenë qetësuar. Pastaj nxënës që kanë hyrë me mendimin që; ‘unë do kopjoj’, është gjë tjetër kjo. Aty ka pasur ushtrime të nivelit edhe për nxënësit mesatar.”, tha përfaqësuesja e QSHA-së.
Ndërkohë, drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore tha se do të shihen të gjitha pyetjet dhe do të bëhet një analizë në bazë të rezultatit të nxënësve.
Rreth 34 mijë maturantë iu nënshtruan ditën e djeshme provimit të tretë të Maturës Shtetërore, atë të matematikës.
Ndërkohë më 15 qershor, të gjithë maturantët do t’i nënshtrohen provimit të fundit, atë të lëndës me zgjedhje.



