Julian Kazazi, artist i Cirkut Kombëtar, thotë se si përfaqësues i Sindikatës së Punonjësve të Artit dhe Kulturës nuk ka gjetur bashkëpunim me ministrinë. Ai rrëfeu rastin personal në studion e MCN Informacion, ndërsa shtoi se artistët e Cirkut Kombëtar punojnë në kushte aspak dinjitoze.
Në gusht kemi qenë të gjithë pushim. Më 11 gusht më njoftojnë për ngritjen e një komisioni për testimin e tregut dhe blerjen e disa pajisjeve të cirkut. Në muajin gusht, testim tregu ndërkombëtar dhe brenda 7 ditëve nuk bëhet dot. Unë isha me pushime jashtë Tirane. Njoftova që nuk do të kthehesha. Në shtator u ktheva për të filluar punën. Paga e muajit gusht më kishte kaluar e plotë. Unë kërkova të hiqej emri im nga lista e komisionit. Në shtator më erdhi një njoftim për seancë dëgjimore dhe shpjegova që kam qenë me pushime dhe jo që nuk kam dashur ta kryej këtë detyrë.
Si president i Sindikatës së Pavarur të Punonjësve të Artit dhe Kulturës kam kaluar pesë ministra. Por është hera e parë që ministria nuk ka vullnetin për t’u ulur me sindikatën. Nga ana e ministrisë ka pasur gjithmonë heshtje. Ndryshe nga herët e tjera, ministria nuk ka dhënë asnjë përgjigje zyrtare as për rastin tim.
Cirku endet nëpër ambiente të ndryshme. Jemi kthyer te godina e vjetër. Nuk ka as dhoma ndërrimi. Shfaqjet jepen te Teatri i Kukullave. Ne improvizojmë dhe në lidhje me premierat e reja.



