
Ish-ministri Paskal Milo tha në studion e lajmeve të MCN Tv se Irani është në vështirësi të madhe dhe se nuk përbën rrezik për sigurinë e asnjë vendi, e aq të Shqipërisë që është anëtare e NATO-s.
Duke vijuar Milo tha ekziston rreziku dhe për një luftë civile në Iran, por kjo varet nga shkalla e organizimit të opozitës.
Shqipëria mund të ketë pasur rrezik kur në një moment të caktuar u bë objekt i një sulmi kibernetik të Iranit, ose ka pasur edhe projekte për të ndërhyrë dhe shkaktuar trazira në Shqipëri apo me veprime që mund të krijonin destabilitet. Ajo kohë ka kaluar. Irani është në pikë të hallit për veten e vet. Ndodhet nën trysninë e sulmeve të Izraelit që po i shkatërron infrastrukturën energjetike bërthamore, që është infrastrukturë ushtarake, në përgatitje e sipër për të ndërtuar armën bërthamore. Ka një shkatërrim të strukturës në përgjithësi nga ana e Izraelit. Irani ndodhet në pozitë të vështirë, po dëshmon dobësitë e tij që deri në një moment nuk ishin të dukshme. Fakti që Izraeli kontrollon hapësirën ajrore të Iranit dhe avionët po bombardojnë tregon që infrastruktura ushtarake e Iranit ka pësuar dëmtime serioze aq sa nuk është në gjendje të kontrollojë territorin e vet.
Irani nuk ka gjasa që të bëhet një faktor ekspansionist për të dëmtuar sigurinë e vendeve të tjera, dhe aq më pak të vendeve të Ballkanit Perëndimor se në planin strategjik afatgjatë Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe është e mbrojtur.
Nuk besoj se Irani për një të ardhme të afërt, për të mos thënë të mesme do të mund të rikuperojë dëmet që i janë shkaktuar dhe nuk do të ketë forcën me të cilën ai është imponuar si forcë rajonale. Influenca e Iranit në Lindjen e Mesme ka rënë.
Predispozicioni për të pasur një lëvizje nga brenda është më i madh në kushtet e reja. Nëse ka mund të çojë në lëvizje të tilla opozita të organizuara dhe nuk përjashtohet që mund të ketë dhe një luftë civile të brendshme mes tyre. Do të varet nga shkalla e organizimit të opozitës. Nuk e di nëse do të ketë lëvizje opozitare të brendshme me ndonjë mbështetje nga jashtë.



