Të lësh shkollën por jo librat. Madje këto të fundit të të kthehen në pasionin më të madh të jetës. Kjo është historia e një 87-vjeçari italian, që gjithë jetën ua ka kushtuar gjuhëve të huaja. Me një përgatitje autodidakte, ai ka arritur të njohë 100 gjuhë.
Riccardo Bertani ka lindur dhe kaluar gjithë jetën në Caprara, Reggio Emilia. Ai e ka lënë shkollën qëkur ishte në fillore, për t’iu përkushtuar për 70 vjet me radhë gjuhëve të huaja. Bertani ka përkthyer mbi 1000 libra.
I biri i një fshatari, që më pas u bë komunist, Bertani tregon se kontaktin e parë e pati me letërsinë ruse. Aty u dashurua me rusishten e më pas ky pasion u shtri edhe në gjuhë dhe kultura të tjera.
Për 70 vjet më radhë, ai studioi në mënyrë autodidakte gjuhë të huaja, përfshirë edhe ato që sot konsiderohen gjuhë të vdekura.
E megjithatë, nuk njeh dy gjuhë shumë të rëndësishme: anglishten dhe gjermanishten.
“Nuk di anglisht dhe gjermanisht. Nuk kam patentë dhe përveç dokumentarëve për kafshët, në TV nuk shoh gjë tjetër. Internet? Ik ore tutje!”, i thotë ai gazetarit të “La Repubblica”.
Por pavarësisht se mund të njohë në mënyrë të shkëlqyer kulturat e vendeve të tjera, ai nuk ka dalë kurrë nga Italia.
“Kam frikë se do të zhgënjehesha. Kam krijuar një ide timen për Rusinë. Më kanë ftuar shpesh në Moskë, në Bullgari. Por preferoj të rri këtu. Kam frikë se të shkoj atje do të ishte njësoj si të shohësh Greqinë pasi ke lexuar “Eneidën””, thotë ai.
“Nuk dua të kujtohem si ai tipi i çuditshëm që dinte 100 gjuhë. Dua të më kujtojnë për punën e një jete të tërë”, thotë ai. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



