
Një i dënuar i dha fund jetës dje duke u vetëvarur në burgun e Shënkollit. 20-vjeçari Florian Kodra nga Shkodra u vetëvar me çarçaf në dushet e burgut. Por të burgosurit e tjerë thonë se Kodra është lënë qëllimisht nga punonjësit e burgut të vrasë veten.
Një dëshmitar ka shkruar për JOQ duke treguar se Floriani vuante nga depresioni dhe askush nuk i erdhi në ndihmë.
“Përshëndetje JOQ! JU shkruaj për atë djalin që vdiq sot, Florianin. Ai ka tentuar që të vrasë veten që të hënën dhe s’kanë marrë asnjë masë për të, vetëm sollën një infermiere që i mati tensionin. T’i masësh tensionin një njeriu që është në depresion s’kisha pa ndonjëherë! Nuk e rruan njeri këtu, çdo gjë është katastrofë, s’ka mjekë, s’ka ilaçe, s’ka kushte jetese por veç mbijetese. Nga ora 4 e mëngjesit e deri në 11 paradite kanë pasur kohë boll për t’i ardhur në ndihmë Florianit që vari veten, po shkurt e shqip këtu nuk i intereson askujt. Erdhën mediat sot pas derës së burgut dhe nuk i kanë lënë me hy fare dhe vetëm i kanë dezinformu”, shkruan ai.



