
Deputeti demokrat, Flamur Noka, është përplasur sërish me kryetaren e Komisionit të Sigurisë Kombëtare në mbledhjen e këtij të fundit.
Noka ka debatuar ashpër me kryetaren Ermonela Felaj, të cilës i ka marrë mikrofonin.
Kjo ka bërë që maxhoranca të largohet nga mbledhja, ndërsa në sallë kanë mbetur vetëm deputetët e opozitës.
Debati Noka-Felaj
Debati Noka-Felaj nisi pasi kjo e fundit ndërhyri për t’iu përgjigjur deputetit të PD-së, Çela, se përse nuk ishte e pranishme ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, dhe pse nuk ishte thirrur kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi.
“Ju nuk jeni suflere. Nuk keni pse të ndërhyni pasi flasin deputetët e opozitës. Nëse e keni këtë konsideratë për veten, bëjeni diku tjetër dhe jo këtu. Mos e degradojmë këtë mbledhje”, tha ai.
Gjatë mbledhjes, Noka kërkoi nga maxhoranca një shifër për kostot e emergjencave civile. “Pse nuk dhatë asnjë shifër për kostot e emergjencave civile. Pse asnjë e dhënë për dëmet? Pse nuk folët për situatën parandaluese? Parandalimi ka qenë zero. S’ka asnjë investim plus. Greqia pati probleme minimale dhe e shpalli gjendjen e emergjencës civile. Shqipëria s’e shpalli. Nuk e bëri sepse do të vlerësonte dëmin e të gjithë të prekurve. Nuk është dhënë dëmshpërblimi i 2015-s”, tha Noka.



