
Të paktën një person i konfirmuar me Covid-19 ka vdekur në Korenë e Veriut dhe qindra mijë njerëz të tjerë kanë shfaqur simptoma të etheve, thanë mediat shtetërore të premten, duke njoftuar për herë të parë se pandemia ka shpërthyer në këtë vend thuajse krejtësisht të izoluar nga pjesa tjetër e botës.
Autoritetet pranojnë se ka një përhapje shpërthyese të pandemisë ndërsa deri në fund të prillit nuk ishte raportuar asnjë rast me covid. Pheniani kishte mbyllur kufijtë që nga marsi 2020.
Zyrtarisht nuk përmendet covidi si infeksion: "Rreth 187,800 njerëz po trajtohen në izolim pasi një ethe me origjinë të paidentifikuar është përhapur në mënyrë shpërthyese në mbarë vendin që nga fundi i prillit"-, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve KCNA.
Rreth 350,000 njerëz kanë treguar shenja të kësaj etheje, duke përfshirë 18,000 që u zbuluan me simptoma të tilla të enjten, tha KCNA.
Rreth 162,200 njerëz janë trajtuar, por nuk specifikohet se sa prej tyre kanë rezultuar pozitivë për Covid-19. Të paktën gjashtë persona me simptoma të temperaturës kanë vdekur. Një nga këto raste të konfirmuara u gjet i infektuar me variantin Omicron.
Media shtetërore ka thënë se shpërthimi filloi në kryeqytetin, Phenian, në fund të prillit, pa elaboruar shkaqet e mundshme. Qyteti pati disa ngjarje masive publike më 15 dhe 25 prill, duke përfshirë një paradë ushtarake dhe tubime të mëdha ku shumica e njerëzve nuk mbanin maska.
Kjo situatë mund të shënojë një krizë të rëndë shëndetësore, ekonomike dhe politike për regjimin e izoluar.



