
Presidenti i SHBA-ve Joe Biden ka bërë një deklaratë përshëndetëse, mbi hapat e rëndësishëm të hedhur drejt integrimit nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, që hapën sot zyrtarisht negociatat për anëtarësim.
Në deklaratë theksohet se në një moment kur Rusia po shkatërron paqen në Evropë, është me rëndësi të mbështetet aspirate për një Europë të plotë, të lirë dhe në paqe.
Shtetet e Bashkuara mirëpresin hapat e rëndësishëm që Bashkimi Evropian po ndërmerr për të çuar përpara integrimin e Ballkanit Perëndimor në komunitetin euroatlantik duke hapur bisedimet e pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një moment kur Rusia ka shkatërruar paqen në Evropë, është më e rëndësishme se kurrë të mbështesim aspiratën për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe. Një Ballkan Perëndimor demokratik, i sigurt dhe i begatë mbetet thelbësor për këtë vizion. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një partner i fortë dhe i besueshëm ndërsa ato vende punojnë për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të forcuar reformat demokratike dhe për të mbështetur sundimin e ligjit. Hapat që BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë ditët e fundit duhet të frymëzojnë të gjithë aspirantët e BE-së në rajon që të rrisin angazhimin e tyre për forcimin e demokracive të tyre”.



