Analisti Ben Andoni e konsideroi një “sfidë të madhe” vizitën e Edi Ramës në Jeruzalem, ndërkohë që ai nuk njihet si kryeqytet nga shumë vende të BE-së.
Duke folur në edicionin e lajmeve në Mcn Tv analisti tha se "nuk e di si do interpretohet kjo vizitë e Ramës për fatin e Shqipërisë".
Lidhur me narrativën e identitetit të larmishëm fetar të familjes, dhe atij personal të kryeministrit, Andoni tha se identitet nuk i bën përshtypje askujt.
“Z.Rama është komod që të luajë me pjesën e identitetit të tij fetar. Shqipëria ka një traditë të shumë individëve që e kanë ndërruar identitetin fetar të tyre, pjesa më e madhe besoj për interesa meskine. Vetëm të shikosh nivelin e hajnisë në Shqipëri, korrupsionin e frikshëm, por Shqipëria s’ka korrupsion por vjedhje, dhe ti e shikon që identiteti është sipërfaqësor. Duke u kthyer te Rama, është komod të flasësh për tre identitete.
Në pjesën e ortodoksisë, Kishës së Lindjes dhe Perëndimit, ai e ka shumë të lehtë të ngrejë narrativat e tij. Ka personalitete të tjera që kanë bërë shumë më shumë për njerëzimin, por nuk bërtasin si ne. Është e vërtetë që kemi mbrojtur hebrenjtë, por studimet do tregojnë që ka qenë mbrojte e kushtëzuar. Nëse kemi mbrojtur kaq shumë një popull kaq të martirizuar, si ka mundësi që nuk mbrojtëm njëri-tjetrin në komunizëm, ku vëllai shiste vëllain, prindi-fëmijën, apo komshiu-komshiun.
Pjesa e identitetit fetar të z.Rama s’i bën përshtypje njeriu. Është sfidë e madhe që Rama ka shkuar në Jeruzalem, pasi një pjesë e vendeve të BE s’e njohin si qendër, pasi është Tel Avivi. Është shumë e guximshme vizita e tij dhe s’e di si do interpretohet për fatin e vendit tonë”.
Lidhur me skandalin e AKSHI-t, Andoni tha se ka dijeni që vendet kryesore kanë kohë që janë në dijeni.
“Besoj që skandali i AKSHI-t ka kohë që është marrë në shqyrtim nga autoritetet e huaja. Qenësia në NATO e bën që të dhënat e Shqipërisë të jenë tejet sensitive. Vendet kryesore kanë kohë që e dinë, për këtë jam fare i sigurt, nga të informacione personale. Berisha ka bërë përforcimin e këtij lajmi që ata e dinë kohë më para. Shteti ynë duhet të ishte më i kursyer në shmangien e vëmendjes në çështje të ndryshme. Nëse organet e drejtësisë do t’i shkojnë deri në fund skandalit të AKSHI-t, do zbulojnë një nga më problemet më të mëdha të vendit tonë”.



