
Emri i Xhakomo Kasanovës përmendet shpesh si simboli i shthurjes. Në librin e tij të kujtimeve, aventurieri i pasionuar pas femrave rrëfente vuajtjet e vazhdueshme për shkak të infeksioneve seksualisht të transmetueshme.
Megjithatë, një studim i kryer së fundmi të bën të mendosh se edhe Kazanova i famshëm mund të ketë qenë si shumë meshkuj që mburren për përvojat e shumta seksuale: shumica kanë ndodhur vetëm në fantazitë e tyre.
Studiuesit thonë se Kazanova mund të ketë gënjyer, sepse nuk janë gjetur prova që sugjerojnë se ai ka vuajtur nga gonorrea, një nga infeksionet më të rënda seksualisht të transmetueshme.
“Nëse ai do të kishte fjetur me 122 gra, siç pretendonte vetë, gjasat që ai ta merrte këtë sëmundje do të kishin qenë shumë të mëdha”, thotë një prej studiuesve.
Kur u analizuan bakteret në faqet që ai ka shkruar me dorë, nuk u gjetën gjurmë të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
Kjo do të thotë se ai ose e ka mjekuar sëmundjen me aq me kujdes saqë ka zhdukur çdo gjurmë të saj, ose thjesht u shtonte një dozë imagjinate rrëfimeve të tij për aventurat seksuale.
Studimi është kryer nga Universiteti Politeknik i Milanos, nëpërmjet një teknike të quajtur elektroforesis.
Analizat e kryera me librin e shkruar 230 vite më parë gjetën gjurmë të një kimikati të quajtur sulfid mërkuri, një përzierje që përdorej për të mbajtur nën kontroll gonorrenë, por nuk e kuronte atë. Megjithatë, në faqet e letrës së shkruar me dorë nuk u gjetën gjurmë të bakterit. Gleb Zilberstein, studiuesi që ka kryer analizat, thotë se pikërisht ky kimikat mund të ketë shkatërruar shëndetin mendor të Kazanovës.
“Përzierjet kimike që pëmbajnë mërkur mund të çojnë në probleme mendore. Në vitet e fundit të jetës, Kazanova tentoi vetëvrasjen. Ka shumë gjasa që çrregullimet mendore t’i kenë ardhur si pasojë e ilaçeve me bazë mërkurin”, thotë ai.
Edhe pse Zilberstein thotë se nuk është i sigurt nëse duhet t’i besojë ose jo pretendimet e Kasanovës për qindra partnere seksuale, ai thekson se gjasat që të infektohej kanë qenë shumë të larta.
Megjithatë, studimi thotë se 'Kur Kasanova vizitoi Madridin, thuhej se edhe murgeshat në konvikte u prekën nga kjo sëmundje veneriane'.
Gonorreja është një sëmundje seksualisht e transmetueshme, e cila mund të shkaktojë infeksion gjaku që mund të çojë deri në vdekje nëse nuk trajtohet. Raste të prekjes prej saj janë regjistruar qysh në shekullin e XII.
Trajtimet mjekësore të kohës e mbanin nën kontroll dhe nuk ishin efektive, deri në vitet 1900 kur u shpikën antibiotikët.



