
Për herë të parë me vendim të Këshillit të Lartë i Prokurorisë është shkarkuar nga detyra një drejtues prokurorie.
Më konkretisht bëhet fjalë për drejtuesin e Prokurorisë së Sarandës Kledian Llaho, i cili bëhet drejtuesi i parë i prokurorisë që shkarkohet nga KLP pas ankesës së një prokuroreje në varësi të tij dhe referimit nga Inspektoriati i Lartë të Drejtësisë
Në dokumentin e siguruar nga MCN TV mësohet se prokurorja ka ngritur pretendime për shkelje të dispozitave ligjore nga ana e drejtuesit të Prokurorisë, që kanë të bëjnë me ndërhyrjet në veprimet hetimore, me shpërndarjen e çështjeve, si dhe me standardet e etikës dhe rregullat e sjelljes.
Konkretisht, prokurorja parashtron se gjatë muajit nëntor 2023 ajo ka pasur gatishmërinë dhe në gatishmërinë e datës 28 nëntor 2023 është njoftuar nga ana e oficerit të policisë gjyqësore se do t’i vinte një material kallëzues. Në këto kushte, ajo ka qenë në pritje të materialit kallëzues, duke orientuar oficeren për kryerjen e veprimeve hetimore.
Por nga hetimi rezultoi e provuar, se në datë 4 shtator 2024 drejtuesi i prokurorisë nuk ka qenë prokuror i gatshëm dhe, si rrjedhim, materiali nuk duhet të trajtohej nga vet ai, por nga prokurorja e gatshme, që ka qenë prokurore.
Ankuesja shpjegon, se është penguar të ushtrojë detyrën si prokurore e gatshme për të hetuar materialin kallëzues në fjalë.
Në aktet e këtij procedimi nga ana e ILD, janë administruar dhe disa dokumente komunikime midis Drejtuesit Llaho dhe prokurores, si më poshtë:
Magjistratja ***citon në ankesën e saj, se: Drejtuesi i është drejtuar me një gjuhë jo etike. E pyetur se cilat janë shprehjet e përdorura nga Drejtuesi në përgjigjen e tij të datës 06.12.2023, të cilat ankuesja i konsideron fyese, ajo është përgjigjur: “.. Konstatime mbi viktimizimin, i gjithë paragrafi, mënyra sesi më drejtohet. Pastaj paragrafi tjetër në e-mailin e parë, kur i kam kërkuar informacion sesi do të jetë ndarja e çështjeve, pra, sesi do të jetë ndërhyrja në gatishmëri nga ana e tij.
Paragrafi tjetër ku shkruan: “Me keqardhje konstatoj se qasja juaj më tepër duket si reagim emocional, sesa parashtrim ligjor i fakteve për të cilat nuk ka nevojë të bëhet me dije askush, qoftë ata edhe kolegët”. Këto fjalë të tilla që “viktimizohesh” apo “reagime emocionale” janë të përdorura në disa shkresa ndaj meje”.
Referuar procesverbalit të pyetjes së subjektit të hetimit disiplinor rezulton, se magjistrati *** në lidhje me faktin objekt-ankese të sipërcituar, ka shpjeguar konkretisht:
“Prokurorja *** nё paaftësi të ushtrimit të detyrës nuk ka treguar kujdesin e duhur. Drejtuesi ka qenë në detyrë në 28 nëntor 2023. Kur shkova në ambientin e prokurorisë zyra e oficeres *** ishte e hapur dhe po intervistonte dy punonjës policie. Nga kurioziteti i pranisë së punonjësve të policisë në zyrën е prokurorisë, pyeta oficeren se përse ishin ata aty. Oficerja mu përgjigj se ishin dhunuar nga një person.
E pyeta: “po procedon me arrest”? Ajo mu përgjigj: “jo se me tha prokurorja të procedoj me gjendje të lirë”. Atëherë, mora në telefon shefin e komisariatit dhe i thashë të sillte personin e shoqëruar të dyshuar për dhunë ndaj policëve dhe urdhërova OPGJ të kryente procedurat e arrestimit. Bëj me dije, se në ato momente prokurorja ***nuk ishte në zyrë.
Sipas ILD, rezulton e provuar se subjekti nën hetim disiplinor magjistrati, në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë ka shkelur dispozitat ligjore dhe nënligjore kanë diktuar kryerjen e veprimeve të menjëhershme.
Nga hetimi rezultoi e provuar, se në datë 4 shtator 2024 drejtuesi i prokurorisë nuk ka qenë prokuror i gatshëm dhe, si rrjedhim, materiali nuk duhet të trajtohej nga vet ai, por nga prokurorja e gatshme, që ka qenë prokurore.
Në përfundim të hetimit, ILD ka konstatuar se të dy materialet kallëzuese, edhe pse duhet t’i kalonin prokurorit të gatshëm, ato as nuk i kanë kaluar, as nuk i janë nënshtruar shortit, qoftë atij elektronik, qoftë atij manual.
Këto materiale drejtuesi ia ka caktuar vetes së tij, në kundërshtim me bazën ligjore dhe nënligjore të sipërcituar.
Si rrjedhim, ILD arsyeton, se provohet kryerja nga drejtuesi e shkeljes disiplinore “Mos-përmbushja nga ana e kryetarit e detyrimeve të përcaktuara në ligj, në veçanti e detyrave që lidhen me sistemin e menaxhimit të çështjeve”, në referim të nenit 102 pika 1 shkronja “1” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
ILD ka hetuar sa i takon mënyrës se si drejtuesi është sjellë dhe ka komunikuar me prokuroren në situata dhe periudha kohore të ndryshme, duke filluar që nga viti 2023. Në funksion të të provuarit të thënieve të saj, ka dorëzuar prova shkresore ku pasqyrohen shprehje të caktuara, drejtuar prokurores, nga Drejtuesi i Prokurorisë, shprehje këto të cilat i janë drejtuar në forma të ndryshme, si nëpërmjet komunikimit verbal, ashtu edhe nëpërmjet komunikimit shkresor.
Nga hetimi, ka rezultuar e provuar për sa më poshtë vijon:
Drejtuesi i prokurorisë gjatë një mbledhje të zhvilluar në nëntor të vitit 2023 (pas ekzekutimit të masës së sigurimit për shtetasin ***), ka drejtuar shprehje të tilla në drejtim të prokurores ***, si: “mallkimet e atij njeriu për padrejtësinë që i keni shkaktuar për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për një fakt penal të ndodhur në ditën e parë të punës do t’ju përndjekin si klithmat e Robespierit nga varri”. Thënien e kësaj shprehje e ka konfirmuar edhe vetë Drejtuesi i prokurorisë, kur është pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohet hetimi disiplinor.
Konkretisht, magjistrati *** gjatë pyetjes së tij, lidhur me faktet objekt- ankimi ka shpjeguar ndër të tjera, se:
Рër shkak se ekzekutimi i arrestimit të shtetasit N.H., u bë pa u vënë unë në dijeni më parë, në vijim të sjelljes konfliktuale të prokurores, si dhe referuar faktit se prokurorja më është drejtuar në mbledhje me fjalët “ti e ke mik Nasipin”, unë i jam përgjigjur konkretisht: “E nderuar prokurore unë nuk kam frikë të ta pohoj ty se e kam njohur shtetasin N.H, që për koincidencë është.
Ndonëse ligji i ka dhënë magjistratit *** në cilësinë e Drejtuesit një rol mbikëqyrës në respektimin e rregullave të sjelljes, nga hetimi ka rezultuar e provuar se ka qenë vet ai që ka shkelur rregullat e sjelljes, në qasjen që ka pasur në vijimësi ndaj veprimtarisë së një prokuroreje të re në detyrë, sikurse është prokurore ***, duke përdorur shprehje fyese dhe denigruese, me pasojë cenimin e figurës dhe reputacionit të saj, edhe në sy të kolegëve dhe personelit administrativ.
Kjo lloj sjellje ka vijuar dhe gjatë hetimit disiplinor. Konkretisht, magjistrati *** gjatë pyetjes së tij në ambientin e ILD, e ka etiketuar prokuroren si një “viktimë patologjike”, duke deklaruar konkretisht, se:” Këto janë fantazitë e prokurores në vijim të sjelljes së saj si viktimё patologjike”.
Madje, ai ka deklaruar gjithashtu, se: “Prokurorja në vlerësimin tim është në pamundësi mendore për të ushtruar detyrën”.
Për sa më sipër, sipas ILD provohet se Drejtuesi i Prokurorisë nuk është sjellë në përputhje me standardet e etikës dhe rregullat e sjelljes që duhet të karakterizojnë një prokuror dhe Drejtues zyre, ka përdorur një gjuhë fyese dhe të papërshtatshme në raport me funksionin e magjistratit në cilësinë e Drejtuesit, të cilat për nga natyra e tyre kanë krijuar një ambient frikësues dhe denigrues për prokuroren.
Kjo sjellje diskretiton figurën dhe pozitën e një Drejtuesi prokurorie, në sy jo vetëm të kolektivit të prokurorisë, por dhe në raport me të tretët, duke përfshirë këtu institucionet e tjera, si dhe publikun.



