Kandidatët demokratë për deputetë dhe kryetarë bashkie do të përzgjidhen nga anëtarësia sipas parimit një anëtar - një votë. Këtë fakt e ka bërë të ditur kreu i PD-së, Lulzim Basha, gjatë fjalës së mbajtur me rastin e 26-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike, Basha u shpreh se ky rregull do të vendoset më vonë në të gjithë vendin.
“Çdokush që ka një vizion apo alternativë do të konkurrojë që vizioni i tij apo i saj të mund të bëhet vizioni i partisë. Vendimet e rëndësishme do t’u besohet anëtarëve, duke lidhur fatin politik dhe karrierën të çdo kujt me anëtarët e PD-së dhe jo vetëm me kryetarin. Jo vetëm kryetari dhe drejtuesit e saj do të zgjidhen me votën e anëtarësisë, por të gjithë drejtuesit për funksionet publike përfshirë kandidatë për kryetar bashkie dhe deputetë do të përzgjidhen sipas parimit një anëtar një votë.
Ne do të punojmë që në zgjedhjen e ardhshme për përzgjedhjen e kandidatëve në disa zona elektorale për ta shtrirë më vonë në gjithë vendin. Le ta dinë të gjithë; përfaqësimi politik i Partisë Demokratike vendoset nga anëtarët e partisë. Ne do të krijojmë një strukturë perëndimore të çliruar nga ofiqet”, tha Basha.



