
Situatë alarmante është cilësuar ngjarja e ndodhur mbrëmjen e sotme në Maminas, ku një fabrikë bojërash u përfshi nga zjarri. Në terren ka dalë Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
Peleshi ka bërë të ditur se një grup specialistësh nga Kapaciteti Kombëtar i Kimisë është në terren për të bërë matjet dhe për të qenë në gatishmëri.
“Mjete zjarrfikëse dhe forca nga Tirana e Durrësi, me ndihmë edhe nga Baza për Mbështetjen e Emergjencave Civile janë angazhuar për shuarjen e zjarrit me përmasa të mëdha në një fabrikë bojrash, në autostradën Tiranë-Durrës, në Maminas.
Një grup specialistësh nga Kapaciteti Kombëtar i Kimisë është gjithashtu në terren për të bërë matjet dhe për të qenë në gatishmëri.
Me të gjitha kapacitetet në terren, për të shmangur rrezikun për qytetarët dhe banesat pranë.
U bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet drejt autostradës deri në qetësimin e situates”, shkruan Peleshi.



