Si po falet detyrimi 120 milionë euro i kompanisë Bankers Petroleum (VIDEO)

Si po falet detyrimi 120 milionë euro i kompanisë Bankers Petroleum (VIDEO)

Edhe pse qeveria tentoi të ndalonte me ligj duke taksuar akcizën e naftës për procesin e prodhimit dhe kërkimit, Bankers Petroleum arrin të gjejë një hapësirë ligjore për t’i shpëtuar detyrimit për pagesën e saj.

 

Duke qenë se ligji i referohej vetëm importit, blerja e holluesit nisi të merrej në tregun vendas, kryesisht nga ish-rafineria e përpunimit të naftës, ARMO. 

 

Gjatë vitit 2014, në disa shkresa të dërguara kompanisë Bankers, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave i qartëson se edhe nëse holluesi sigurohej në tregun vendas, sërish duhet të paguhej akcizë. 

 

Holluesi i përdorur në proceset hidrokarbure në magazinën fiskale të prodhimit si lëndë e parë për trajtimin e produktit përfundimtar (naftë bruto) duhet të dokumentohet, të regjistrohet dhe të paraqitet në rakordimet mujore pranë degëve doganore mbikëqyrëse. Bankers Petroleum ka detyrimin për pagesën e akcizës për nënproduktet e naftës (të përfituara nga tregu i brendshëm apo importi), të përdorur për nevojat e kërkimit të naftës dhe të vënies në shfrytëzim të zonave naftëmbajtëse, pavarësisht nga destinacioni i prodhimit”, thuhet në shkresën e dërguar nga drejtoria e Doganave, firmës koncesionare në vitin 2014. 

 

Në shtator 2014, sektori i akcizës në Degën e Doganës Fier ka mbajtur një proçesverbal ku konstaton mungesën e pagesës së akcizës.

 

Përgjatë periudhës 01.04.2014 deri në datën 23.09.2014, Bankers Petroleum ka shmangur detyrimin e pagesës së akcizës për furnizimin me produktin solar (gjysmë produkt) hollues.” thuhet në shkresën e Degës së Doganës Fier. 

 

Disa ditë më vonë, Dega e Doganës Fier, konstaton se Bankers është debitore për pagesën e shumës 5.8 milion euro për pagesën e akcizës dhe e ngarkon me penalitet në vlerën 10 mijë euro. 

 

Këtu nis dhe një betejë e gjatë ligjore mes shtetit dhe kompanisë koncesionare të prodhimit të naftës.

 

Bankers Petroleum kërkon shfuqizimin e vendimeve të Doganës Fier në Gjykatën Administrative, e cila pranon padinë dhe vendos sigurimin e saj, duke e bllokuar mbledhjen e detyrimit nga autoritetet publike deri në përfundim të gjykimit. 

 

Pas shqyrtimit, shkalla e parë e Gjykatës Administrative vendos t’i japë të drejtë kompanisë koncesionare. 

 

Vendimi ankimohet nga Avokatura e Shtetit në Gjykatën Administrative të Apelit, e cila rrëzon sigurimin e padisë dhe le në fuqi vendimin e shkallës së parë për shfuqizimin e akteve administrative të doganës. Tashmë administrata doganore kishte të drejtën të ushtronte kontrolle të reja. Ky vendim merret në qershor të vitit 2017. Çështja ankimohet nga pala shtetërore në Gjykatën e Lartë, për të fituar fuqinë e vendosjes së detyrimit. 

 

Ministria e Financave ndërkohë i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave që të vazhdojë vjeljen e akcizës. 

 

Sa ka ndodhur në të kaluarën lidhur me moszbatimin e ligjshmërisë nga kompania Bankers Petroleum, do teëmbahet në ndjekje për të konkluduar zgjidhjen optimale, por kjo nuk duhet të ndikojë në detyrimin për zbatimin e ligjit. Në zbatim të ligjit të akcizës, prej datës 1 Prill 2014, nuk ka përjashtim për karburantin që përdoret si hollues në proceset e nxjerrjes së naftës. Bazuar në nenin 14 të Ligjit të Akcizave, akciza nuk rimbursohet për nënproduktet e naftës të përdorura për nevojat e veta nga subjektet e kërkimit të naftes dhe te vënies në shfrytëzim të zonave naftëmbajtëse, pavarësisht nga destinacioni i përdorimit. Në buxhetin për vitin 2017, është parashikuar shtesë në planin e akcizës vetëm për holluesin e naftës bruto një vlerë 1.3 miliardë lekë. Sa më sipër, të merren të gjitha masat me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit”, thuhet në një shkresë dërguar Drejtorisë së Dogana nga ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj. 

 

Në një tjetër shkresë të gushtit 2017, zv ministri i Financave Erjon Luçi, i kërkon Drejtorisë së Doganave që të vazhdojnë me mbledhjen e akcizës për produktin solar që përdoret në procesin e nxjerrjes së naftës bruto. Ai thekson se vendimet gjyqësore për një çështje të caktur nuk pengojnë zbatimin e thelbit të Ligjit për Akcizat.

 

Vendimet gjyqësore të gjykatave administrative të cilat i referohen një çështjeje konkrete në një moment të caktuar, nuk mundet në asnjë rast të cenojnë zbatueshmërinë e legjislacionit në fuqi. Për sa më sipër, të merren të gjitha masat në zbatim të ligjit për vjeljen e detyrimeve të akcizës që prej hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore të përmendura”, shprehet Luçi. 

 

Kontrollet për akcizën nga ana e doganave rifilluan dhe në vitin 2019, Dega e Doganës Fier vlerëson se Bankers kishte shmangur pagesën e 30 milion eurove detyrime për akcizën që duhet të paguante për holluesin që blinte nga rafineria e Ballshit dhe për këtë ngarkohej me një gjobë 3-fish më të lartë se detyrimi, sipas dispozitave të Kodit Doganor. Në total koncesionari tashmë do të duhet të paguante 120 milion euro.

 

Pas vendosjes së penalitetit, Bankers ankohet në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si autoritet kontraktor me të cilin kishte lidhur kontratën dhe e konsideron gjobën të paligjshme. 

 

Tashmë qeveria kishte ndryshuar, në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ishte Belinda Balluku, ndërsa ministre e Financave Anila Denaj.

 

Në korrik, Balluku i drejtohet me një letër Ministrisë së Financave ku i sqaron se holluesi që përdor Bankers për proceset teknologjike është i përjashtuar nga akciza, duke dalë tërësisht në mbrojtje të koncesionarit dhe në dëm të interesave të shtetit. 

 

Referuar marrëveshjes me Bankers Petroleum dhe marrëveshjeve të tjera të kësaj fushe, si dhe duke përcaktuar qartë eksperiencën e deritanishme në këtë fushë, rezulton se nuk ka normativë të përcaktuar për sasinë e holluesit që përdoret në proceset mineralogjike dhe teknologjike të nxjerrjes së naftës bruto nga nëntoka. Normativa e holluesit ndryshon sipas llojit të naftës bruto në shtresë , kryesisht denistetit të saj, presionit të shtresës dhe temperaturës në të, gjendjes fiziko-dinamike të shtresës ku është depozituar në mënyrë natyrale nafta bruto, teknologjisë së përdorur për nxjerrjen e sajsi dhe parametrave të tjerë lidhur me trajtimin e naftës bruto nga gryka e pusit në pikën e lëvrimit/shitjes sikundër është temperatura e fluidit, lloji i transportit etj.”, thuhet në shkresën e saj. 

 

Jo vetëm kaq, por letra hedh poshtë dhe skemën e denoncuar nga auditet për përdorimin e solarit kontrabandë dhe hedhjen e tij në treg, ndërsa pranon se asnjëherë nuk ka patur kartë teknologjike të holluesit të përdorur nga Bankers Petroleum, çka ve në pikëpyetje punën e strukturave përgjegjëse për monitorimin e kontratës koncesionare.

 

“Sqarimi i detyruar mbi natyrën e materialit hollues, bëhet me qëllimin për të kuptuar se pretendimet e ngritura në vite lidhur me abuzimin nga ana e Bankers Petroleum dhe operatorëve të tjerë të prodhimit të naftës bruto, mund të konsiderohen të vërteta vetëm pasi të jenë bërë më parë analiza kimike dhe fizike të naftës bruto të nxjerrë nga nëntoka me holluesin brenda saj. Është fakt që këto analiza nuk janë bërë asnjëherë për të konkluduar sasinë e holluesit të përdorur”, thuhet në letrën drejtuar Ministrisë së Financave, transmeton emisioni “Kronos” në MCN TV.

 

Balluku kërkon të pezullohen veprimet nga ana e administratës tatimore duke qenë se çështja po shqyrtohet në gjykatë. 

 

Në rastin konkret jemi në kushtet kur holluesi nuk përdoret si karburant por si lëndë djegëse. Duke iu referuar Ligjit për Akcizat i cili përcakton qartazi se kur lind detyrimi për akcizën, theksojmë dhe njëherë se vendimi i Drejtorisë së Doganave për nxjerrjen e detyrimit për të paguar akcizë për holluesin dhe gjoba për shmangien e saj nuk qëndron, është i padrejtë. Nga sa më sipër parashtrojmë kërkesën institucionale për të konsideruar dhe për të kërkuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, të pezullojë të gjitha veprimet për këtë çështje, njoftimin final të penalitetit deri në marrjen e interpretimit ligjor nga Gjykata Kushtetuese mbi ligjshmërinë e këtij akti. Sjellim në vëmendje se një çështje të të njëjtës natyrë e kemi humbur në Arbitrazh me Bankers Petroleum për shumën 4 miliard lekë.

 

Edhe Ministrja e Financave Anila Denaj, mbajti të njëjtën linjë dhe zbatoi urdhrin e komunikuar nga ministria e Infrastrukturës duke pezulluar gjobën, në shkelje të kompetencave që i njeh Kodi Doganor dhe Kodi i Procedurës Administrative, të cilët nuk i njohin ministrit kompetencë të pezullojë akte tatimore e doganore dhe nuk ka qënë pjesë e praktikës së punës institucionale të Ministrisë së Financave. 

 

Ndodhur në kushtet kur nga shqyrtimi i materialeve rezulton se kemi të bëjmë me një çështje të ndërlikuar qoftë nga shifrat e konkluduara, qoftë nga shtrirja kohore e tij apo dhe zhvilimet e mëparshme gjyqësore mes Administratës Tatimore dhe Bankers Petroleum, si dhe në kushtet kur për këtë çështje janë investuar si Avokatura e Shtetit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe pritet një interpretim/vendim përfundimtar lidhur me dispozitat e Ligjit për Akcizat, çmohet e rëndësishme pezullimi i procedurës administrative për marrjen e vendimit nga Autoritetet Doganore”, thuhet në shkresën e Denajt drejtuar Drejtorisë së Doganave. 

 

Në mars të vitit 2022, Gjykata e Lartë rrëzon pretendimet e Bankers dhe i jep të drejtë Drejtorisë së Doganave. Por për 3 vjet, nga 2019-ta deri në këtë vendim, askush nuk kishte vepruar vjeljen e detyrimit dhe gjobës, dhe pse nuk kishte dispozitë ligjore në formën “e sigurimit të padisë” që i pengonte. 

 

Gjykatat e dy shkallëve më të ulta kanë gabuar më vlerësimin e interesit të ligjshëm material të palës për ngritjen e padisë duke cënuar thelbin e një procesi të rregullt ligjor”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.

 

Në qershor Bankers ankimon këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese me arsyetimin se i janë cenuar interesat e ligjshme si palë në proces, duke ankimuar shqyrtimin procedurial të çështjes nga Kolegji i Gjykatës së Lartë. Gjykata Kushtetuese merr me 25 korrik 2022 një vendim që rrëzon pretendimin e koncesionarit dhe le në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë.

 

“Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë i ka shqyrtuar ato dhe në përfundim të gjykimit nuk është shprehur për vlefshmërinë e tyre, por ka arsyetuar se ato nuk kanë sjellë asnjë dëmtim të drejtpërdrejtë të të drejtave ose interesave të ligjshme të kërkueses. Kolegji Kushtetues vëren se Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë është ndalur vetëm në zbatimin dhe interpretimin e ligjit nga gjykatat më të ulëta, duke arsyetuar se ato e kanë zbatuar atë në mënyrë të gabuar. Për këto arsye, edhe ky pretendim i kërkueses është haptazi i pabazuar”, shprehet Gjykata Kushtetuese. 

 

Po dhe pse ky vendim ishte një fitore e madhe për palën e shtetit shqiptar,120 milion euro ende dhe sot janë mbledhur administrata doganore. 

 

Në dosjen hetimore që Prokuroria e Fierit nisi ndaj Bankers Petroleum, drejtuesit e saj ishin të shqetësuar për emisione investigative që mund të përmendin afatet e vjeljes së gjobës dhe detyrimit të akcizës. 

 

Rezulton se media të ndryshme si Top Channel apo Tv Klan kanë marrë përgjatë viteve 2020-2025 pagesa që variojnë nga 260 mijë deri në 550 mijë euro për reklama, hapësira publicitare, spote, kronika etj. Reklamimi i aktivitetit të Bankers në një treg që nuk ka konkurrent është shtim i pajustifikuar i shpenzimeve dhe ulje e fitimeve që deklaron si kompani. Në këtë mënyrë dyshohet se kompania mundohet me këto pagesa të pengojë publikimin e lajmeve negative rreth aktivitetit të saj”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Fierit. 

 

Dosja tashmë ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme pasi janë gjetur elementë të grupit të strukturuar kriminal dhe përfshirje e zyrtarëve të lartë, kompetencë e SPAK. 

 

Vetëm pasi ky hetim përcillet në SPAK, ministri i Financave Petrit Malaj dërgon një shkresë në Degën e Doganës Fier ku kërkon vjeljen e detyrimit dhe penalitetit për kompaninë Bankers. Shkresa është dërguar më datë 29 shtator të këtij viti, disa ditë pasi çështja ishte marrë në hetim nga Struktura e Posaçme. 

 

Për sa kohë ligji ngarkon autoritetet doganore kompetente për kryerjen e verifikimeve e procedurave për shkeljet në fushën e akizës dhe jo Ministrinë e Financave, për çdo rast nga ana juaj duhet të ndërmerren të gjitha masat, procedurat dhe veprimet ligjore në mbrojtje të interesit shtetëror në përputhje me legjistlacionin në fuqi”, thuhet në shkresën e ministrit të Financave Petrit Malaj. 

 

Disa javë më parë hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë shkuar në Ministrinë e Financave për të sekuestruar dokumentacionin që lidhet me pagesën e detyrimit të Bankers Petroleum, çështja është akoma në hetim. 

 

Por paraleleisht me këtë, ekzekutivi ka ndërmarrë një iniciativë ligjore për faljen dhe fshirjen e detyrimeve tatimore e doganore të papaguara. 

 

Projektligji ka kritere ndaluese për tatimpagues që janë të dënuar me vendim të formës së prerë ose janë në proces hetimi ose gjykimi për vepra penale në fushën tatimore. 

 

Praktikisht Bankers Petroleum nuk është subjekt i këtij neni, pasi nën hetim janë ish-drejtuesit e kompanisë dhe jo vetë kompania apo “tatimpaguesi” siç e njeh ligji.

 

Një tjetër nen kufizues është që nga fshirja e detyrimeve të mos përfitojnë subjektet ndaj të cilave shteti ka fituar në Gjykatën Administrative. Në rastin e Bankers çështja ku pala e shtetit shqiptar ka fituar nuk është vendimi i Apelit por i Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese!

 

Nga ky ligj, detyrimi i akcizës rrezikon të përgjysmohet, pasi dispozitat e ligjit për faljen dhe fshirjen e detyrimeve tatimore e doganore njohin faljen e gjysmës së detyrimit të vendosur deri më 31 dhjetor 2019, nëse paguhet gjysma e tij. Penaliteti fshihet tërësisht. Në këtë rast Bankers detyrohet të paguajë vetëm 15 milion euro!

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy