
Gazetarja Alba Kepi tha përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve të MCN TV se apelimi i vendimit të Gjykatës së Romës për çështjen e emigrantëve është rruga më e vështirë që mund të zgjedhë qeveria Meloni.
Kepi thotë se vendimi nuk është bazuar në një interpretim të Kushtetutës italiane, por në një vendim të Gjykatës së Drejtësisë Europiane.
Sipas gazetares rruga më praktike dhe më e shpejtë është ndryshimi i normativës ligjore të paktit Meloni-Rama ashtu siç bëri me dije vetë kryeministrja italiane.
Meloni këtë pakt e ka trumbetuar si një sukses të politikës së saj dhe të zgjidhjes së kolapsit të sistemit azilkërkues në Itali, prandaj me shumë gjasa nuk do ta lëshojë dhe nuk do ta pranojë këtë lloj humbje që ka pasur përballë Magjistraturës italiane. Prandaj e kemi një debat të fortë, jo vetëm politik, por edhe mes drejtësisë dhe qeverisë të cilën e ka akuzuar se drejtësia italiane është e politizuar.
Apelimi është rruga më e vështirë e qeverisë Meloni. Këtë fakt e ka deklaruar dje ministri i Brendshëm. Pse e ka deklaruar ai? Sepse ministria e tij ka përgjegjësinë kryesore për menaxhimin e dy kampeve në Shqipëri, të Gjadrit dhe të Shëngjinit.
Ai është shprehur se ka vendosur të apelojë vendimin e Gjykatës së Romës, por shanset që ai të fitojë, apo qeveria Meloni të fitojë këtë vendim janë të pakta sepse vendimi nuk bazuar në një interpretim të Kushtetutës italiane, por është bazuar në një vendim të Gjykatës së Drejtësisë Europiane.
Rruga më praktike dhe më e shpejtë që mund të zgjedhë qeveria Meloni, është ajo që tha kryeministrja orët e fundit: Pra do të tentojmë të ndryshojmë normativën ligjore të paktit Meloni-Rama. Do të mundohen ndoshta të aprovojnë dhe një draft-ligj me ndryshime legjislative, juridike, ligjore, për të evituar ngërçin që ka me drejtësinë italiane.



