
Sulmi kibernetik në faqet e shërbimeve online dhe shumë institucioneve të rëndësishme, ka cenuar rëndë sigurinë kombëtare. Në këtë konkluzion ka arritur Policia e Shtetit, e cila ka referuar në Prokurorinë e Tiranës një denoncim përmes të cilit synohet të zbardhet enigma e të gjitha ndërhyrjeve.
Pak orë pas marrjes në dorë të denoncimit, ka nisur edhe hetimi paraprak. Burime të besueshme pranë akuzës bëjnë me dije se veprimi i parë ka të bëjë me një kërkesë drejtuar një kompanie amerikane, e dyshuar si një nga burimet që ka lidhje me sulmin. I njëjti burim deklaroi se kësaj kompanie, emri dhe vendndodhja e të cilës nuk bëhet publike, i janë mbyllur një numër i madh faqesh. Ka dyshime të bazuara se kjo kompani përmes këtyre faqeve ka përfituar të dhëna që përbëjnë shkelje të rënda ligjore dhe cenim të sigurisë kombëtare.
Kërkesa është bërë zyrtarisht nga ana e prokurorit të çështjes. Ai nuk pranoi të japë detaje se sa është numri i këtyre faqeve apo dhe emrat. Me kërkesë të prokurorit Bledar Vatnikaj, kompania amerikane që kontrollon dhe monitoron faqet online, ka vendosur të kontrollojë llogaritë, që dyshohet se morën të dhëna nga i-Albania dhe shumë site qeveritare duke i bërë të paaksesueshme.
Në Prokurorinë e Tiranës ka një referim nga policia, i cili flet për një sulm të mirë organizuar dhe shumë të sofistikuar. Prokurorët nuk janë ende në gjendje të thonë se ku do të përqendrohen hetimet, pasi ka dyshime se sulmi kibernetik që shkaktoi kolaps në sherbimet online, është bërë nga persona që ndodhen jashtë territorit të vendit. Një pjesë e mirë e tyre ofrojnë shërbime për qytetarët si dhe janë faqe ku depozitohen baza e të dhënave dokumentare për çdo shtetas shqiptar.



