
Deputeti i PD-së, Sajmir Korreshi tha përmes një lidhje “Skype” me studion e MCN Live se opozita nuk ka një plan afatgjatë në lidhje me aksionin që do të ndjekë megjithëse ka një dakordësi të plotë mes grupit parlamentar.
Duke vijuar më tej, Korreshi tha se nuk mund të imponohet mosngritja e komisioneve hetimore, dhe shtoi se 'normaliteti' kthehet me plotësimin e 3 kërkesave të opozitës.
Korreshi beson se do të ketë një reflektim nga ana e mazhorancës.
Po na dhunojnë për ditë, ka xhandarë tek dera. Deputetët e papërjashtuar nuk hyjnë dot tek zyrat e veta.
Ne nuk na ka marrë Nikolla në punë. Mua më kanë mandatuar 17 200 persona. Mua më kanë sjellë në punë votat e lushnjarëve.
Nuk mund të na imponojnë mosngritjen e komisioneve hetimore.
Presim akoma dy javë, ne nuk kemi një plan afatgjatë, nuk është se kemi skenarë lufte. Grupi parlamentar ka dakordësi, dhe është gjetur dakordësi për vijën tonë parlamentare. Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në mbledhjet tona, askush nuk ka kundërshtuar vendimet që janë marrë. Mendoj se do të ketë reflektim dhe nga mazhoranca duke qenë se ka kohë deri atëherë.
Po të shohësh çfarë thonë kolegët socialistë kur fiken kamerat?
E para ata thonë nuk e kuptojmë pse nuk iu njihet kryetari i grupit parlamentar.
E dyta për përbërjen e komisionit, është e lehtë thonë ata nuk biem dakord.
E treta për komisionet hetimore, ata thonë kot që i kërkoni sepse e dimë pse nuk ua japin, pse do biem brenda me këmbët tona?
Korreshi tha se ai nuk do ta shajë kurrë SPAK-un, apo institucionet e tjera të drejtësisë dhe shtoi se i inkurajon të hetojnë çdo person që ka futur duart tek paratë e shqiptarëve.
Janë 42 deputetë që kërkojnë ngritjen e komisioneve hetimore, është e vetmja armë që opozita ka për të kontrolluar ekzekutivin, të gjitha të ardhurat e shqiptarëve dhe ata që kanë votuar këtë opozitë i kanë dhënë tagër për ta kërkuar këtë gjë.
Ne kemi kërkuar ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore me përbërjen siç e duan 43 deputetë.
Nëse plotësohen këto kërkesa i kthemi normalitetit në komisione dhe Kuvend. Do doja të flisnin për buxhetin, por nëse opozitës i merren të drejtat nuk ka më argument.
Nuk kërkojmë as karrige ministrore, as tender, as lekët që kanë vjedhur. Kërkojmë ngritjen e komisioneve për të zbuluar si janë shpenzuar lekët e shqiptarëve.
Nuk do më dëgjoni kurrë të shaj SPAK, inkurajoj të hetojnë të gjithë ata që kanë futur duart në paratë e shqiptarëve.
Pozicionin tonë e ka sqaruar dhe Bardhi, jemi vetëm për ngritjen e komisioneve, nuk kemi lidhje pavarësisht aludimeve. Të zgjidhet ky ngërç dhe pjesa tjetër i takon drejtësisë.



