
Kryeministria jep informacion lidhur me sulmin kibernetik ndaj faqeve të qeverisë.
Në deklaratë thuhet se kundëerofensiva e Agjencisë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit dhe aleateve ndaj sulmit kibernetik po ecën me ritme të shpejta dhe në përputhje me planin e emergjencës.
Në vijim thuhet se pas një pune të jashtëzakonshme, prej 96 orësh pa pushim, nga ekipi i inxhiniereve dhe ekspertëve IT të AKSHI-t, ndihmës së skuadrës së Microsoft DART (Detection and Response Team) dhe partnerëve të “Jones Group International”, po bëhet kthimi në normalitet.
Faqet zyrtare të ministrive dhe sistemi i Fiskalizimit janë rikthyer në funksion të plotë brenda 12 orësh.
Që prej ditës së djeshme është kthyer në funksion të plotë: Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit rrugor me sistemin e lejeve të drejtimit dhe sistemin e targave; Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor me sistemin e recetës elektronike; Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore me sistemin e barnave. Po punohet me intensitet për kthimin një e nga një të të gjitha shërbimeve që ofrohen në e-albania dhe rikthimin në funksionalitet të plotë të sistemeve të tjera.
Ndjekja e protokolleve të reagimit ndaj sulmeve kibernetike, izolimi i menjëhershëm i infrastrukturave dhe sistemeve qeveritare, që në momentet e para, bëri që sistemet qeveritare të dalin të paprekura.
Kjo rezultoi kundërpërgjigjia e duhur ndaj këtij sulmi masiv të pandodhur kurrë më parë ndaj vendit tonë.
Në vijim falënderohet çdo qytetar, biznes, punonjës administrate, shtetas të huaj në Republikën e Shqipërisë, për durimin dhe mirëkuptimin në përballjen me këtë armik kibernetik të përbashkët.
Kryeministria deklaron se siguria kibernetike dhe ofrimi i shërbimeve publike online ka qenë dhe do të mbetet prioritet.



