
Liria Globale e Internetit shënoi rënie për të 14 vit radhazi bën të ditur në raportin e saj të fundit organizata Fredoom House. Sipas gjetjeve të këtij raporti censura dhe manipulimi i përmbajtjeve vlerësohen si faktorët kryesorë që kontribuuan në këtë rënie të lirisë globale të internetit.
Në raport po ashtu theksohet se qeveritë e të paktën 27 nga 72 vendet e përfshira në analizë ndërprenë qasjen në internet, e kufizuan atë në platformat e mediave sociale ose bllokuan faqet e internetit që publikojnë përmbajtje politike, sociale dhe fetare veçanërisht gjatë periudhave elektorale me synim ndikimin në rezultate.
Në analizën e Freedom House po ashtu theksohet edhe dhuna dhe arrestimet si mekanizma të zgjedhur nga qeveritë e ndryshme për shtypjen e fjalës së lirë në internet. Sipas raportit në të paktën 56 vende u arrestuan dhjetëra e qindra përdorues të internetit për shkak të shprehjes së pikëpamjeve të tyre politike, sociale apo fetare.
Ndërsa në të paktën 43 vende njerëzit u sulmuan fizikisht ose u vranë në shenjë hakmarrje për veprimtarinë e tyre në internet.
Për presidenten e Fredoom House Nicole Bibbins krijimi i një hapësire të sigurtë dhe të besueshme për shprehje të lirë në internet është thelbësore për forcimin e demokracisë.
Njerëzit po luftojnë për të siguruar qasje në informacione të besueshme në internet dhe përhapja e përmbajtjeve të rreme ose mashtruese po ngjall dyshime në rezultatet e zgjedhjeve dhe po mbjell mosbesim afatgjatë në institucionet demokratike. Krijimi i një hapësire të sigurt dhe të besueshme për shprehje të lirë në internet është thelbësore jo vetëm për ruajtjen e lirisë së internetit, por edhe për ruajtjen dhe forcimin e demokracisë.
Ndër shtetet me rënien më të madhe të lirisë globale të internetit listohen Kirgizia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Iraku dhe Zimbabve. Ndërsa si mjediset më të këqija në botë për lirinë e internetit renditen Kina dhe Mianmari përkundrejt Kilit dhe Holandës që vlerësohen si modele globale për lirinë e internetit.
Raporti po ashtu mes të tjerash vë në dukje edhe përdorimin e inteligjencës artificiale për prodhimin e informacioneve të rremë dhe manipuluese. Në përfundim të raportit Organziata bën thirrje për mbrojtjen e integritetit të informacionit me cilësi dhe besueshmëri të lartë.
Kërkon nga politik-bërësit që të rrisin mbështetjen për shoqërinë civile dhe median lokale si dhe të investojnë ne programet e edukimit qytetar si dhe te nxisin sektorin privat për më tepër transparencë.
Ndër të tjera theksohet fort se mbrojtja e internetit të lirë duhet të trajtohet si një nga shtyllat e demokracisë. Ky raport vlerëson lirinë e internetit në 72 vende që përbëjnë 87% të përdoruesve të internetit në botë dhe është zhvilluar në harkun kohor të qershorit 2023 dhe majit të vitit 2024.



