Kontrabandë me karburantet/ Krahasimi me Kosovën

Kontrabandë me karburantet/ Krahasimi me Kosovën

Shqiptarët konsumojnë në vit mesatarisht 550 mijë ton karburant, konsum që ka mbetur në vlera të njëjta gjatë 5 viteve të fundit pavarësisht se numri automjeteve në qarkullim është rritur dhe bashkë me të dhe ekonomia është zgjeruar.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i automjeteve në fund të vitit 2022 ishte 796.438, ku nga këto 565,966 janë mjete që përdorin naftën dhe 157,678 benzinën, ndërsa pjesa tjetër janë me gaz dhe një sasi më e vogël makina elektrike. 90% e automjeteve në Shqipëri furnizohen ose me naftë ose me benzinë.

Që nga viti 2019, numri i makinave është rritur me 21%, ose 167 501 automjete më shumë, por konsumi i naftës në këtë periudhë është rritur me ritme minimale 6.5% e barasvlefshme me  36.524 ton

Numri i makinave që përdorin lëndët naftë dhe benzinë ishte 583 024 dhe importi i karburanteve 520.200 ton, ndërsa në vitin 2022 rezultojnë 723.644 makina të tilla, por konsumi është 556 mijë ton.

Edhe volumi i fuqisë motorike të autmojeteve ka mbetur në të njëjtat raporte. Në vitin 2019, 97% e makinave kishin fuqi motorike deri në 3000 kubikë dhe në vitin 2022 të njëjtën fuqi kanë 93% e mjeteve motorike. Numri i vjetërsisë së makinave sërish rezulton me rritje në vitin 2022 me 588.336 mjete motorike më të mëdha se 10 vjet, kundrejt 539.880 që ishin makinat me këtë vjetërsi në 2019-n.

Nëse në vitin 2019 një makinë konsumonte mesatarisht në vit 1049 litra, ose 2.87 litra në ditë, në vitin 2022 një automjet ka konsumuar 905 litra në vit ose 2.47 litra në ditë.

Ekspertët thonë se këta tregues pasqyrojnë një tjetër tablo të realitetit shqiptar që lidhet me evazionin fiskal dhe karburantin që hyn kontrabandë.

“Nëse i referohemi kontrolleve në vitin 2019, edhe pse me rezerva, arriti të zbulojë një evazion dhe kontrabandë të dukshme, të paktën deri në 1 mijë ton karburante”, thotë eksperti i Qendrës Altax, Eduart Gjokutaj.

Tezën e kontrabandës së karburanteve e përforcon më shumë një e dhënë tjetër që lidhet me rajonin. Kosova është një shtet i ri që ka të ardhura për frymë më të ulta se Shqipëria, 5300 euro në vit për banor, kundrejt 6400 që janë të ardhurat për banor në vendin tonë. Numri i autoveturave në Kosovë është gati dy herë më i ulët se në Shqipëri, 420 786 mjete motorike për vitin 2022, kundrejt 796.438 në Shqipëri.

Megjithatë konsumi i naftës dhe benzinës në shtetin fqinjë është 15% më i lartë se tek ne. Pra, edhe pse ka gjysmën e makinave që përdoren në Shqipëri, edhe pse ka 1 milion banorë më pak se vendi ynë, konsumon më shumë karburant. Gjatë vitit të shkuar sasia e importit të naftës dhe benzinës në Kosovë ishte 640 mijë ton, 83 mijë ton më shumë se në Shqipëri.

Një makinë në Kosovë konsumon mesatarisht 1790 litra në vit ose 4.9 litra në ditë, kundrejt 2.47 litrave në ditë që konsumon një autoveturë në Shqipëri. Dy herë më shumë!

“Shifrat e konsumit në krahasim me vendet fqinjë na tregojnë në mënyrë të tërthortë që në këtë treg ka dhe evazion”, thotë Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike.

Të gjitha dyshimet të çojnë te nafta kontrabandë, dhe që kjo të bëhet dhe të ndodhë, duhet që gjithë zinxhiri i tregut të jetë i shtrirë në një grusht biznesesh. Dhe në fakt, numri i kompanive që dominojnë tregun e shumicës dhe pakicës në Shqipëri, nuk i kalon gishtat e një dore. 5 firma të mëdha zënë mbi 80% të tregut të karburanteve. Në vitin 2022 kompania Kastrati sha kishte 41% të tregut, e dyta renditet Gega Oil me 23% të tregut, e treta Europetrol Durrës ose Elda me 10% të tregut, Bolv Oil me 6% dhe Eroil me 4.5%.

Importi, depozitimi dhe ngarkim-shkarkimi i karburanteve në territorin e vendit tonë bëhet në dy porte: Vlora 1 ose Petrolifera dhe Porto Romano Durrës, një sasi më e vogël realizohet përmes rrugëve tokësore. Në këto vende depozitat zotërohen sërish nga kompanitë që tregtojnë karburantin me shumicë dhe janë po këto kompani që kanë tortën kryesore në tregun e pakicës. Dy firma të mëdha, Kastrati sha dhe Europetrol Durrës kanë në zotërim dhe portin më të madh të vendit ku bëhet importi, depozitimi dhe shkarkimi i lëndëve hidrokarbure: Porto Romanon. 64.5% të aksioneve në këtë port i ka shoqëria Kastrati dhe 34.5% kompania Europetrol Durrës. Sipas ekspertëve të ekonomisë udhëheqja e tregut bëhet nga firmat që e dominojnë.

Për ekspertët, një nga arsyet se përse asnjë markë ndërkombëtare nuk vjen në vendin tonë ka të bëjë pikërisht me shtrembërimin e konkurrencës dhe informalitetin e lartë që ka në këtë sektor.

“Kompanitë e naftës fillimisht u lejua nga shteti, kontrabanda që u lejua para disa vitesh në fushën që kishte këto biznesmenë u gatua dhe ky ishte momenti që morrën mbështetje dhe sot kontrollojnë tregun. Kjo është një nga arsyet përse kompanitë e mëdha nuk vijnë në Shqipëri, sepse tregu është i deformuar”, thotë Pano Soko, ekspert i ekonomisë.

Edhe pse çmimet e larta të naftës kanë qënë një shqetësim i përhershëm për qytetarët ndër vite, ata nuk kanë bërë asgjë përveç zemërimit që kanë shfryrë herë pas here në rrjete sociale dhe një proteste e cila ngriti Bordin e Transparencës i cili vendosi çmime tavan për litrat e karburantit dhe gazit. Edhe pse me një marzh të pakët fitimi të lejuar me ligj, pjesa më e madhe e kompanive kanë dalë me fitim.

Vitin e shkuar në Shqipëri janë shitur 2.2 miliard euro karburant. Krahasuar me vitin 2021, kur çmimet e ishin në nivele normale, shpenzimet e qytetarëve për këtë lëndë janë rritur me 660 milion euro.  

Shitjet kryesore të këtij produkti i dominon shoqëria Kastrati. 930 milion euro naftë dhe benzinë e tregtuar gjatë vitit të shkuar, ku 43 milion euro i janë shitur administratës publike. E dyta renditet kompania Gega Oil me 442 milionë euro karburant të shitur, e ndjekur nga Europetrol Durrës me 180 milion euro, Eroil me 157 milion euro dhe  Bolv Oil me 123 milion euro.

Sipas analizës që ka bërë Kronos, të pesta kompanitë e mëdha të tregtimit të karburantit kanë realizuar vitin e shkuar një fitim neto 20 milion euro nga aktiviteti i shitjes. Disa prej tyre kanë në bilance rezultat negativ financiar, i cili ka të bëjë me zhvlerësimi i brendshëm i shoqërive nga asete të tjera dhe që nuk lidhet drejtpërdrejt me tregtinë e karburanteve.

 

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy