Ditën e nesërme blegtorët e zonës së Lushnjes kanë lajmëruar një protestë në lidhje me problematikat e tyre kryesisht me prodhimin e qumështit. Organizatori i kësaj proteste, Dashamir Çela, thotë se shkak është bërë ulja e çmimit me të cilat fabrikat blejnë qumështin te fermerët. Ai tha se në treg po hyn qumësht nga Serbia dhe Hungaria, çka po mbyt prodhimin vendas dhe po çon fermerët në faliment.
Ne e kemi pasur çmimin 80 lekë të reja me TVSH, nga fabrikat na është lajmëruar një ulje prej 20 lekësh. Ne kemi organizuar një protestë, një grup blegtorësh kemi gati një javë që nuk dorëzojmë qumësht. Arsye kemi shumë sepse na konkurron Hungaria, Serbia. Fabrikat e përpunimit kërkojnë të na e ulin çmimin.
Problemi qëndron te ministria e bujqësisë, e cila nuk ka kontrollin e duhur ndaj fabrikave të qumështit. Ata abuzojnë, shesin qumësht hungarez dhe serb sikur është prodhim vendas.
Nga janari deri ne 2 prill janë futur në Shqipëri rreth 40 cisterna me qumësht të Serbisë dhe Hungarisë. Ne goditemi sepse shitet prodhimi i importit për prodhim vendi. Po eci situata kështu, ne do të falimentojmë.



