Kryeministri i Kosovës ka pranuar propozimin franko-gjerman me të cilin synohet normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në një lidhje Skype, lajmin e konfirmoi për MCN TV, Drizan Shala, analist dhe ekspert i çështjeve të sigurisë në Kosovë. Shala tha se hapi i radhës është nënshkrimi në Paris.
Kryeministri i Kosovës e ka pranuar propozimin franko-gjerman. Nga burime të mirëinformuara, kryeministri është pajtuar me draftin për planin franko-gjerman. Pika kryesore është njohja de facto e republikës së Kosovës. Këto janë elemente esenciale të kësaj marrëveshjeje.
Tanimë Vuçiç do të jetë përballë një situate të palakmueshme. I duhet të zgjedhë nëse do të rrijë në krah të BE apo t’i bashkohet partnerit që ka pasur deri tani, Rusisë.
Ky propozim do të nënshkruhet në Paris. Me të do t’i jepet mundësia palës serbe të bëjë hapin tjetër. Vuçiç duhet të kuptojë se vetëm përmes bashkëpunimit rajonal mund të ecet përpara.
Ideja e një propozimi franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u hodh rreth një muaj më parë.
Sipas këtij propozimi, në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht. Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin Perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.
Që nga viti 2012, Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun politik për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e BE-së. Aktualisht synohet arritja e një marrëveshjeje përfundimtare mes dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve - gjë që ende nuk ka ndodhur. Dialogu është ndërprerë disa herë. Kosova e ka shpallur pavarësinë në 2008, por ende Serbia nuk e njeh si shtet të pavarur.



