
Kuvendi i Shqipërisë u kthye sot në arenë përleshjesh mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe efektivëve të Gardës.
Deputetët demokratë zunë karriget e kabinetit qeveritar, duke protestuar për tre çështje: betimin e Endri Shabanit si Avokat i Popullit, dosjen e AKSHI-t dhe çështjen që lidhet me zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Për analistin Preç Zogaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, sjellja e opozitës në Parlament ishte një përpjekje për të “galvanizuar” protestën e paralajmëruar të 22 janarit.
Këto skena i kemi parë shpesh, me bllokime seancash. Nga sa u kuptua, ishte një inskenim për të ndaluar votimin e Avokatit të Popullit.
Sipas tij, ajo që ndodhi në Kuvend ishte një lloj mini-proteste e inskenuar, e cila shërben si model për protestën e ardhshme.
Ishte një inskenim i një mini-proteste, ku u mor edhe një copë pushteti për pak minuta, për t’ua paraqitur ndjekësve si model se si duhet të jetë protesta e 22 janarit.
Një operacion për të galvanizuar protestën.
Opozita nuk është më aktor në këtë luftë. Aktori kryesor është SPAK, pasi vetë kryetari i Partisë Demokratike është nën hetim. Protesta e tyre është e destinuar të mos lërë gjurmë, sepse mbart hipokrizi.



