Sheshi qendror i Durrësit gumëzhin këto ditë festash. Dhjetëra stenda me produkte të ekspozuara u bënë pjesë e panairit “Verë dhe Traditë”.
Ky organizim i përvitshëm ka si qëllim të bëjë bashkë prodhuesit e verës, përfaqësues të kulinarisë, por edhe artizanë të qytetit bregdetar.

“Një mundësi shumë e mirë për promovimin e potencialeve gastronomike të qytetit, por edhe të fshatrave përreth”,- shprehet Floreta Kërtusha, përfaqësuese e Drejtorisë së Turizmit pranë Bashkisë.
Nga ana tjetër, edhe vetë protagonistët e këtij panairi, duke prezantuar produktet e tyre, e vënë theksin tek rëndësia e prodhimeve vendase. Ata i shohin si një vlerë e shtuar këto panaire, që i japin frymëmarrje, veçanërisht në prag festash.
Kanë qenë të shumtë vizitorët që në ditën e parë të këtij panairi, ku nuk kanë munguar turistët e huaj.
Ky është viti i dytë radhazi, që organizohet panairi "Verë dhe traditë" në Durrës, i cili do të qëndrojë i hapur edhe gjatë ditës së nesërme, i shoqëruar me një program artistik.



