
Vazhdon hakmarja e Rusisë ndaj gazetarëve Ukrainas. Një gjykatë në Moskë e dënoi gazetarin ukrainas, Roman Sushchenko, me 12 vjet burgim, pasi e shpalli fajtor për spiunim, ndërsa avokati i tij dhe Ukraina thanë se u fabrikua akuza për arsye politike.
Sushchenko, korrespondent për agjencinë e lajmeve Ukrinform, është arrestuar gjatë një vizite në Moskë më 2016, nën dyshimet se ka mbledhur informacione të klasifikuara.
Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi ka thënë se Sushchenko ka punuar për Ministrinë e Mbrojtjes në Ukrainë dhe se ai ka mbledhur informacione për ushtrinë ruse dhe Gardën Kombëtare.
49-vjeçari, Sushchenko nuk e ka pranuar fajësinë në fillim të gjyqit të tij në mars. Autoritetet në Ukrainë kanë bërë vazhdimisht thirrje për lirimin e tij.
Javën e kaluar, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maryana Betsa, ka thënë se gazetari është “peng i agresionit rus”.
Marrëdhëniet ndërmjet Moskës dhe Kievit kanë qenë të tensionuara që nga 2014 kur një kryengritje popullore rrëzoi një president pro-rus nga pushteti. Rusia vazhdoi të aneksonte Krimenë nga Ukraina dhe mbështeti një kryengritje pro-ruse separatiste në lindjen e vendit.
Harlem Desir, përfaqësues i mediave të OSBE-së për mbikëqyrjen e sigurisë dhe të drejtave të BE-së, tha se ai e dënonte verdiktin e së hënës dhe i bëri thirrje Rusisë që të lirojë Sushenkon.
"Gazetari nuk është një kriminel", tha Desir në një deklaratë.



