Emisioni investigativ Xhadat, ka trajtuar pak ditë më parë, rastin e tenderit të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, ku për blerjen e 104 copë karrige zyre, prokuroria kishte vënë në dispozicion 3.8 milionë lekë. Nga një llogaritje e thjeshtë, çmimi për blerjen e një karrigeje ishte 37 mijë lekë.
Nga hulumtimi në tregun e brendshëm dhe atë online, rezultoi se çmimi i vendosur në dispozicion nga Prokuroria për blerjen e karrigeve të institucionit, ishte shumë i lartë.
Pas publikimit të rastit në emisionin Xhadat, duket se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, ka anulluar procedurën e tenderit.
Arsyeja e anullimit sipas institucionit të prokurorisë është se në tender nuk është paraqitur asnjë ofertë e përshtatshme në procedurat me një fazë.
Fakti që prokurorisë nuk i është dukur asnjë ofertë e përshtatshme, tregon se oferta ka pasur, por Xhadat duket se e kanë vënë në vështirësi për të zgjedhur mes çmimeve, që sipas logjikës ekonomike, do të kenë qëne afër kufirit të vendosur nga vetë institucioni.



