
Kryeredaktori Leonard Mitro ka komentuar në ‘MCN Live’ aksionin opozitar për të cilin u shpreh se Partia Demokratike demonstroi dhe një herë tjetër një kulturë politike që e mban larg të qënit një alternative serioze për qeverisjen e vendit.
Ajo që vlen të themi në këtë situatë meriton shprehjen ne konsumojmë më shumë në histori sesa prodhojmë. Javën e kaluar themeluam shtetin sovran te Bektashinjve, këtë javë kemi nisur revolucionin nga një parti që mesa duket nuk ka ndërmend të ndryshojë, ndoshta s’ka as aftësinë dhe për aq kohë sa nuk mund të ndryshojë veten s’mund të ndryshojë dot të ardhmen e vendit.
A jemi në një krizë politike apo parlamentare mbetet një pikëpyetje që as vetë ata ndoshta se dinë. Po demonstrojmë një kulturë politike që PD si të thuash e ka shfaqur dhe brenda vetes, zjarr, molotov dhe brenda selisë së vet, dhe tani të njëjtat skena përsëriten dhe në kuvendin e Shqipërisë në emër të një kauze që lidhet me dënimin e një deputeti të dënuar nga drejtësia. Unë mendoj se PD nuk di të bëjë më shumë se kaq dhe mendoj se po mbron në thonjëza një “kufomë politike” siç është Berisha.
Uroj të përgënjeshtrohem dhe protesta e 7 tetorit të kaloj pritshmëritë tona, në mbështetje popullore. Nuk e di se sa e ka opozita aktuale dhe PD fuqinë për të bindur shoqërinë t’i shkojë pas, se sa e ka fuqinë e ideve për të bërë ndryshimin brenda vetes në figura, për të ardhur te shqiptarët me një ofertë të re.
Kjo që po shohim nuk është se është ndonjë risi, këto pamje jemi mësuar ti shohim, është kulturë politike e njohur e këtij vendi edhe nga ata që sot janë në pushtet, blloko rrugë, digj goma, pra mesa duket opozita po i vë kapakun e mortit vetes së saj. Sigurisht që shoqëria shqiptare ka nevojë për një alternativë të re sepse çështjet që e shqetësojnë janë të shumta duke nisur nga ekonomia. Opozita e ka humbur besueshmërinë e saj, kështu që nuk besoj se jemi në një krizë politike që meriton një analizë të thellë.
Më tej Mitro shtoi se reagimi i ndërkombëtarëve kundër dhunës në Kuvend është mëse korrekt dhe se opozita me qëndrimet dhe protestën është duke bërë përpjekje për të negociuar dhe për të përfituar diçka.
Partnerët ndërkombëtarë janë të vëmendshëm ndaj situatës politike në Shqipëri dhe pse serioziteti i një republike si jona lë shumë për të dëshiruar. E konsideroj këtë protestë të opozitës si njëlloj negociate të saj për të përfituar diçka, siç mund të jetë lirimi i liderit të tyre.
Ndaj dhe padia që u bë sot në SPAK ndaj 73 deputetëve është në filozofinë e këtij negocimi dhe një opozitë që po përpiqet të përfitojë nga koniunktura e situatës ku ndodhet ka rënë dhe si opozitë.
Opozita nëse ka aftësinë të bindë me argumente qytetarët që ta votojnë atë si alternativë mund ta bëjnë, nuk janë vetëm protestat si e vetmja alternativë për të rrëzuar qeverinë. Mendoj se Berisha është pengesa kryesore që PD nuk arrin të ndryshojë veten, ajo është në ikën e saj të fundit dhe shpresat që PD të marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve është minimale për aq kohë sa në krye të saj është Berisha.



