
Departamenti i Shtetit Amerikan inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë me moratoriumin mbi çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike, tha një zëdhënës i Departamentit për Zërin e Amerikës duke u përgjigjur në pyetje lidhur me përvjetorin e parë të marrëveshjes së Uashingtonit.
Dy versione të dokumentit prej gjashtëmbëdhjetë pikash, u nënshkruan një vit më parë në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, në prani të ish-presidentit amerikan Donald Trump, nga ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti aktual serb Aleksandër Vuçiç.
Shpresojmë që partnerët tanë të respektojnë detyrimet që ata pranuan vitin e kaluar në Uashington në mirëbesim. Elemente të shumta të marrëveshjes mbështesin prioritetet e vizionit tonë më të gjerë të rajonit - diversifikimin e energjisë, lidhjen rajonale, aplikimin e një moratoriumi për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe fushatën për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, si dhe gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur.
Sipas marrëveshjes së Uashingtonit, Kosova nuk duhej të aplikonte për një vit të bëhej pjesë e organizatave ndërkombëtare, ndërkohë që Serbia do të ndalte fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
Por pavarësisht kërkesës nga Uashingtoni, mazhoranca e Albin Kurtit refuzoi në fillim të gushtit të kalonte në Kuvend një rezolutë e cila kërkonte zbatimin e pikave të marrëveshjes së arritur në Shtëpinë e Bardhë.



