Forcat e Armatosura të Shqipërisë, janë pajisur me sisteme raketore Javelin, falë bashkëpunimit me aleatin strategjik, SHBA.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ishte i pranishëm në një nga bazat e Forcave të Armatosura, ku u bë pritja e dërgesës së parë të këtyre sistemeve, teksa u shpreh se ardhja e sistemeve antitank Javelin, përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e aftësive mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, duke rritur parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare.
Ardhja e sistemeve Javelin falë bashkëpunimit me aleatin tonë strategjik SHBA, forcon aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, rrit parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare.
Ministri bëri të ditur se sapo është kryer dorëzimi i një sasie të parë të sistemeve të lëshimit Javelin dhe raketave përkatëse.
Sipas tij, kjo dërgesë është pjesë e një procesi të planifikuar, ndërsa faza e dytë e furnizimit pritet gjatë vitit 2026, e cila tashmë po konkretizohet me pajisje moderne antitank të standardeve më të larta.
“Nëpërmjet dërgesës së parë të sistemeve Javelin dhe asaj të dytë që pritet në vitin 2026, synojmë certifikimin e plotë të një grup-batalioni, duke rritur ndjeshëm gatishmërinë dhe efektivitetin operacional të Forcave tona të Armatosura”, u shpreh ministri i Mbrojtjes.
“Javelin” është një prej armëve më të sofistikuara në botë, që përdoret për shkatërrimin e tankeve dhe mjeteve të blinduara.
Ai qëllon objektivin në mënyrë automatike pas lëshimit, duke i mundësuar ushtarit që të mbrohet dhe të evitojë kundërsulmet.



