
Nëse OBSH "nuk angazhohet për përmirësime thelbësore në 30 ditët e ardhshme, unë do të marr vendimin e përkohshëm për të pezulluar fondet e SHBA-ve për Organizatën Botërore të Shëndetit dhe do të rishqyrtoj anëtarësimin tonë në të”. Ky është ajo që Presidenti Amerikan Donald Trump shkruan në një letër dërguar drejtorit të përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus, postuar në Tuiter, në të cilën manjati rendit akuzat për menaxhimin e krizës Covid-19 dhe afërsinë e tepruar të OBSH-së me Kinën.
Në postim, Trump shkruan se "kjo është letra dërguar Dr. Tedros (drejtori i përgjithshëm i OBSH-së) të Organizatës Botërore të Shëndetit. Ai nuk ka nevojë për shpjegime!". Letra me 4 faqe që mban datën 18 maj, ditën e asamblesë, rendit akuzat e manjatit për "dështimin në menaxhimin e krizës" ndaj Covid-19, e akuzon OBSH-në për "mungesë alarmante të pavarësisë nga Republika Popullore e Kinës". Lista e gjatë e ankesave nis me sinjalizimet për "raporte të besueshme" për përhapjen e një virusi në Vuhan në fillim të dhjetorit, përfshirë një artikull në revistën shkencore “Lancet”. Deri në fund të dhjetorit, zyra e OBSH-së në Pekin ishte në dijeni se në Vuhan po ndodhte diçka, dhe më 31 dhjetor autoritetet tajvaneze raportuan transmetimin e infeksionit nga njeriu në njeri. Më pas, citohet Zhang Yongzhen, nga Qendra Klinike e Shëndetit Publik në Shanghai, autor i sekuencës së gjenomit që iu komunikua më 5 janar autoriteteve dhe publikut, një informacion që të nesërmen i kushtoi mbylljen e laboratorit.
Sipas Trump, OBSH ka dhënë gjykime "të pasakta dhe të nxituara", shpesh thjesht duke përsëritur atë që thoshin autoritetet kineze, që nga mostransmetimi i virusit nga njeriu te njeriu, dhe lavdërimet për "transparencën" e menaxherit të përgjithshëm në Kinë pas takimit më 28 janar në Pekin me Presidentin Xi Jinping, si dhe një telefonatë të supozuar të 21 janarit nga Xi me numrin një të OBSH për të mos shpallur urgjencën e epidemisë. Letra, duke përmendur mangësi të tjera të pretenduara në menaxhim, kërkon një hetim të pavarur dhe kujton menaxhimin e suksesshëm të krizës së Sars nga drejtori i përgjithshëm i atëhershëm Harlem Brundtland. "Është e qartë se gabimet e përsëritura të OBSH-së në menaxhimin e pandemisë i kanë kushtuar shtrenjtë botës. E vetmja mënyrë përpara OBSH është nëse aktualisht mund të demonstrojë pavarësi nga Kina. Administrata ime ka filluar tashmë diskutimet se si të reformojë organizatën". Përndryshe, në mungesë të ndryshimeve të rëndësishme, "unë nuk do të lejoj që paratë e taksapaguesve amerikanë të vazhdojnë financimin e një organizate që aktualisht nuk po u shërben qartë interesave të Amerikës".



