Dita e Çlirimit ka bërë bashkë sërish krerët e shtetit, kësaj radhe në Varrezat e Dëshmorëve.
Një ditë pas ceremonisë së ngritjes së flamurit në Vlorë, në 76-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, kryeministri Edi Rama, presidenti Ilir Meta dhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kanë mbajtur homazhe në varrezat e dëshmorëve.
Ata vendosën kurora me lule në memorialin e dëshmorëve të atdheut.
Kryeministri Rama shoqërohej nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe nga kryebashkiaku Erion Veliaj.
Ceremonia ka zgjatur pak minuta dhe pjesëmarrësit kanë mbajtur distancën, jo vetëm për shkak të pandemisë, por edhe për debatet në distancë që kanë pasur kohët e fundit kreu i shtetit dhe kryeministri.
29 nëntori 1944 shënon çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesi gjerman.



