Ndahet nga jeta në moshën 101-vjeçare akademik Luan Omari, themeluesi i Akademisë së Shkencave

Ndahet nga jeta në moshën 101-vjeçare akademik Luan Omari, themeluesi i Akademisë së Shkencave

Ka ndërruar jetë në moshën 101-vjeçare akademik Luan Omari, zëri autoritar i së drejtës shqiptare. 

 

Akademia e Shkencave e Shqipërisë njoftoi ndarjen nga jeta të akademik Luan Omari, anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ish-sekretar shkencor dhe zëvendëskryetar i saj.

 

Me largimin e tij, shkenca dhe kultura shqiptare humbasin një dijetar të përkushtuar, i cili për shumë dekada ia kushtoi jetën kërkimit shkencor, studimit dhe zhvillimit të së drejtës dhe shkencave juridike në Shqipëri.

 

 Jeta dhe vepra e tij janë të lidhura ngushtë me zhvillimin e mendimit juridik shqiptar dhe me përpjekjet për forcimin e institucioneve demokratike e të Shtetit të së Drejtës.

 

Akademik Luan Omari lindi më 10 qershor 1925 në Tiranë, në një familje me tradita të forta kulturore dhe arsimore. 

Arsimin e hershëm e kreu në Bari të Italisë, ndërsa diplomën e maturës e mori në gjimnazin e Tiranës. Studimet e larta për drejtësi i vijoi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua për shkencat juridike, duke u shndërruar në një nga juristët më të përgatitur të vendit.

 

Karriera e tij është e lidhur ngushtë me arsimin e lartë. Ai ka shërbyer si docent i së Drejtës Publike në Institutin e Lartë Juridik, profesor i Teorisë së Shtetit dhe të së Drejtës, si dhe dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës për gati dy dekada, duke formuar breza të tërë juristësh e akademikësh që sot mbajnë përgjegjësi të larta në vend.

 

Përtej kufijve të Shqipërisë, Profesor Omari ka përfaqësuar vendin në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës, duke përcjellë perspektivën shqiptare në debatet europiane mbi demokracinë dhe të drejtën Kushtetuese.

 

Ai është autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi historinë e të drejtës, të drejtën Publike e atë Kushtetuese. 

Akad. Omari luajti një rol kyç në të gjitha proceset dhe debatet kushtetuese për hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjeve kushtetuese pas viteve ’90.

 

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, në vitin 2020 Presidenti i Republikës e nderoi me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, si shenjë mirënjohjeje për meritat e tij të veçanta në fushën e së drejtës. Ndërkaq, në vitin 2016, Akademia e Shkencave e Shqipërisë e nderoi me Çmimin e Karrierës Akademike.

 

Akademia e Shkencave e Shqipërisë i shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve, kolegëve dhe gjithë bashkësisë shkencore për këtë humbje të madhe.

 

Nderimet për akademik Luan Omarin do të zhvillohen nesër, 30 tetor 2026, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

 

Në orën 10:00 do të mbahet Akademi Solemne në sallën “Aleks Buda”, në orën 11:00-13:00 do të kryhen homazhet dhe në orën 13:00 kryetari i ASHSH, Skënder Gjinushi do të mbajë fjalën e lamtumirës.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy