Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të martën doktrininën e rishikuar bërthamore, duke deklaruar se një sulm konvencional ndaj Rusisë nga çdo komb që mbështetet nga një fuqi bërthamore do të konsiderohet një sulm i përbashkët ndaj vendit të tij.
Miratimi i Putinit për politikën e re të parandalimit bërthamor vjen në ditën 1000-të pasi ai dërgoi trupa në Ukrainë më 24 shkurt 2022. Po ashtu masa vjen pas vendimit të Presidentit amerikan në detyrë Joe Biden për t’i dhënë dritën jeshile Ukrainës, për të goditur objektivat brenda
Rusisë me raketa me rreze më të gjatë të furnizuar nga SHBA.
Nënshkrimi i doktrinës, e cila parashikon që çdo sulm masiv ajror ndaj Rusisë mund të shkaktojë një përgjigje bërthamore, pasqyron gatishmërinë e Putinit për të kërcënuar përdorimin e arsenalit bërthamor të vendit për të detyruar Perëndimin të tërhiqet ndërsa Moska po shtyn një ofensivë të ngadaltë në Ukrainë.
I pyetur nëse doktrina e përditësuar ishte lëshuar qëllimisht pas vendimit të SHBA-së për të lehtësuar kufizimet ndaj Ukrainës duke përdorur raketat e saj me rreze më të gjatë për të goditur Rusinë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se dokumenti u publikua "në kohën e duhur" dhe se Putin udhëzoi qeverinë që ta përditësojë atë në fillim të këtij viti në mënyrë që të jetë "në përputhje me situatën aktuale".
Versioni i ri i dokumentit thotë se një sulm kundër vendit të tij nga një fuqi jobërthamore me "pjesëmarrjen ose mbështetjen e një fuqie bërthamore" do të shihet si "sulm i tyre i përbashkët ndaj Federatës Ruse". Nuk specifikon nëse një sulm i tillë do të shkaktonte domosdoshmërisht një përgjigje bërthamore. Ai përmend "pasigurinë e shkallës, kohës dhe vendit të përdorimit të mundshëm të parandalimit bërthamor" midis parimeve kryesore të parandalimit bërthamor.
Në të njëjtën kohë, ai përshkruan kushtet për përdorimin e armëve bërthamore në më shumë detaje në krahasim me versionin e mëparshëm të doktrinës, duke vënë në dukje se ato mund të përdoren në rast të një sulmi masiv ajror që përfshin raketa balistike dhe lundruese, avionë, dronë dhe mjete të tjera fluturuese.
Formulimi i gjerë duket se i zgjeron ndjeshëm shkaktarët për përdorim të mundshëm të armëve bërthamore në krahasim me versionin e mëparshëm të dokumentit, i cili thoshte se Rusia mund të përdorte arsenalin e saj atomik nëse “merret informacion i besueshëm për lëshimin e raketave balistike që synojnë territorin e Rusisë ose aleatët e saj.” Doktrina e rishikuar parashikon që Rusia mund të përdorë armë bërthamore në përgjigje të agresionit kundër aleates së saj Bjellorusisë.



