Shembja e godinës së Teatrit Kombëtar në maj të vitit 2020 shënoi një nga përplasjet më të forta mes pushtetit, kujtesës urbane dhe rezistencës qytetare në Shqipëri.
Në kulmin e pandemisë, mes protestash dhe kundërshtimesh të vazhdueshme nga artistë, aktivistë dhe qytetarë, godina historike u rrëzua nën masa të forta policore, duke u kthyer në simbol të një konflikti më të gjerë mbi identitetin e Tiranës dhe mënyrën se si transformohet qyteti.
Për shumëkënd, prishja e Teatrit nuk ishte thjesht një vendim urbanistik, por një akt politik dhe kulturor që ngriti pyetje mbi transparencën, trashëgiminë, fuqinë e pushtetit dhe raportin mes qytetarëve dhe hapësirës publike.



