Qeveria franceze po i ndihmon me procedura të përshpejtuara për të marrë pasaportat emigrantët të cilët ishin dhe janë në vijën e parë të luftës me COVID-19.
Sipas BBC, më shumë se 700 persona deri më tani kanë marrë shtetësinë franceze pasi kanë qenë ndër të parët që kanë pranuar të bëjnë punët e rrezikshme në një kohë kaq të vështirë.
Ndër ata të cilët kanë marrë pasaportat janë mjekë ose profesionistë të tjerë shëndetësore, pastrues, apo punëtorë të thjeshtë, të cilët kanë dhënë një kontribut të veçantë në këtë luftë.
Punonjësit e vijës së parë në të gjithë botën kanë qenë të ekspozuar ndaj Covid-19, që më pas ka sjellë edhe pasoja fatale, siç rasti i mjekëve dhe infermierëve.
Franca është një nga 10 vendet më të prekura nga koronavirusi, me më shumë se 2.5 milion raste të konfirmuara dhe afër 62 000 vdekje.
Nisma e shtetësisë së përshpejtuar u njoftua për herë të parë në shtator. Deri më tani 704 persona kanë marrë pasaportën franceze, ndërsa 693 janë në fazat e fundit. Gjithsej 2.890 persona kanë aplikuar deri më tani.



