
Franca po përballet me një rast shokues pasi një djalë 15-vjeçar rrëfeu se ka vrarë prindërit e tij dhe i ka vënë zjarrin shtëpisë për të fshirë çdo gjurmë të mundshme që mund ta lidhte me vrasjen e dyfishtë.
Hetuesit hetuan rastin për një javë që kur dy trupa me plagë të shumta me armë zjarri u gjetën brenda një ferme të shkatërruar pjesërisht nga zjarri në Chateauvilain, Isere.
Hetimet u fokusuan menjëherë tek djali i cili në ato orë ishte zhdukur pa gjurmë.
Duke identifikuar makinën e të atit të cilën adoleshenti e kishte marrë, hetuesit ranë në gjurmët e djalit në Montpellier, i cili ndaloi pa bërë asnjë rezistencë dhe pranoi se ishte autori i krimeve.
Duke u paraqitur para Prokurorit Publik, adoleshenti me emrin Valentin, tha se kishte vrarë nënën dhe babanë e tij me armë zjarri, duke i qëlluar në kokë dhe gjoks.
15-vjeçari deklaroi gjithashtu se kishte menduar për eliminimin e prindërve të tij prej disa kohësh.
Për këtë, prokurori sqaroi se gjyqtari i çështjes do të urdhërojë vlerësimin psikiatrik dhe vlerësimin psikologjik për të kuptuar më mirë personalitetin e të akuzuarit dhe për të vlerësuar përgjegjësinë e tij penale.
Nga dëshmitë e para të mbledhura, familja e djalit ishte një familje normale, e integruar plotësisht në realitetin e vogël të Chateauvilain, një fshat midis Lionit dhe Grenoble.
Adoleshenti aktualisht është i mbyllur në një seksion për të mitur të një qendre paraburgimi dhe Prokuroria e Montpellier ka nisur një hetim kundër tij për vrasje të dyfishtë dhe zjarrvënie.
Ndërkohë në momentin e krimit, vëllai i tij 17-vjeçar nuk ndodhej në shtëpi.



