Radioja ruse, Ekho Moskvy, thotë se gazetarja e saj e njohur, Tatyana Felgengauer, e cila u qëllua dje me thikë në qafë nga një sulmues, ndodhet në njësinë e kujdesit intensiv në një spital të Moskës, pasi ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale.
Sulmi ndodhi dje në zyrat e radios në Moskë.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlimnit, Dmitry Peskov, sot i ka hedhur poshtë sugjerimet se mund të ketë lidhje ndërmjet sulmuesit dhe zyrtarëve të presidencës së Rusisë.
Peskov për këtë sulm me thikë ka fajësuar “një njeri të çmendur”.
“Aksionet e njeriut të çmendur janë aksione të njeriut të çmendur”, tha Peeskov dhe ka shtuar se “përpjekja për ta ndërlidhur atë me diçka tjetër është absolutisht e gabueshme dhe jologjike”.
Komiteti hetues i Rusisë e ka identifikuar sulmuesin me emrin Boris Grits, 48 vjeç, shtetas i Rusisë dhe Izraelit.
Këtij personi i është caktuar paraburgimi deri më 23 dhjetor. / REL /



