Një person është arrestuar dhe tre të tjerë janë shoqëruar pas aksionit të Forcave RENEA mbrëmjen e djeshme në Vlorë.
Nuk dihet identiteti i personit që ka rënë në pranga dhe as i të shoqëruarve, ndërsa po ashtu nuk ka informacion as nëse ata janë persona me precedentë të mëparshëm penale.
RENEA zhvilloi mbrëmë operacione blic edhe në disa qytete të tjera në vend, si në Elbasan, e Shkodër, me qëllim kapjen e personave të shpallur në kërkim, me precedent penal apo që mbajnë armë pa leje.
Reporteri Enes Molla në një lidhje me 'MCN Live' deklaroi se deri tani janë shoqëruar rreth 25 persona nga aksioni i cili ka vijuar për të gjithë natën.
Identitetet e tyre ende nuk bëhen me dije ndërsa detaje të reja priten në vijim pasi ato po verifikohen. Raportohet se kontrollet janë zhvilluar në disa banesa dhe lokale, ambiente të cilat dyshohet se frekuentohen nga persona me precedent penal.
Elbasani është një ndër qytetet ku kriminaliteti është i lartë dhe shpeshherë kanë ndodhur atentate mafioze.
Ndërsa në Shkodër ka pasur kontrolle në disa zona me disa të shoqëruar, por detaje të reja pritet në vijim.



