
Nga viti 2019 deri në vitin 2021, Covid uli jetëgjatësinë globale me 1.6 vjet, një ndryshim i mprehtë krahasuar me rritjet e regjistruara në vitet e mëparshme.
Një studim i publikuar në revistën shkencore “The Lancet” tregon se për të rriturit në mbarë botën, pandemia Covid-19 ka pasur një ndikim më të thellë se çdo ngjarje tjetër e vërejtur në gjysmë shekulli, duke përfshirë luftërat dhe fatkeqësitë natyrore, thotë bashkëautori i parë i studimit Austin E. Schumacher, i Institutit për Metrikën dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME) në Universitetin e Uashingtonit në SHBA.
Gjatë pandemisë jetëgjatësia u ul në 84% të vendeve dhe territoreve, duke demonstruar efektin potencialisht shkatërrues të patogjenëve të rinj.
Ndërsa shkalla e vdekshmërisë midis fëmijëve nën 5 vjeç ra me 7% nga viti 2019 në 2021, me gjysmë milioni më pak vdekje në periudhën e konsideruar, në grupmoshat mbi 15 vjeç vdekshmëria u rrit me 22% për meshkujt dhe 17% mes grave.
Ndër të moshuarit, vdekshmëria është rritur në një mënyrë të paparë në 70 vitet e fundit.
Ndonëse pandemia ishte shkatërruese duke vrarë rreth 16 milionë njerëz në mbarë botën midis 2020 dhe 2021, ajo nuk e fshiu plotësisht përparimin e bërë, duke pasur parasysh se jetëgjatësia në lindje u rrit me gati 23 vjet midis 1950 dhe 2021.
Analiza është një përditësim i vitit 2021 i programit kërkimor të Studimit të Barrës Globale të Sëmundjeve (GBD) dhe tabloja që ajo paraqet konsiderohet “vlerësimi më i plotë” i ndikimit që “tsunami Covid” ka pasur në shëndetin e njeriut deri më tani.
Në vlerësimin e vdekjeve të tepërta të lidhura me pandeminë, autorët morën parasysh si vdekjet e shkaktuara nga Sars-CoV-2, ashtu edhe ato që lidhen me efektet indirekte të urgjencës, siç është kujdesi i humbur për shkak të paralizës së shërbimeve shëndetësore.
Mexico City, Peru dhe Bolivia janë ndër zonat e planetit ku ka pasur një rënie më të madhe të jetëgjatësisë nga viti 2019 deri në 2021, raportojnë studiuesit e IHME.
Ndërsa vende si Jordania dhe Nikaragua, theksojnë studiuesit kanë raportuar një tepricë të lartë të vdekshmërisë në të gjitha grupmoshat për shkak të pandemisë, gjë që nuk është theksuar në analizat e mëparshme.
Në nivel nënkombëtar, provincat e Afrikës së Jugut të KwaZulu-Natal dhe Limpopo regjistruan ndër normat më të larta të vdekshmërisë së tepërt të rregulluara sipas moshës dhe rëniet më të mëdha të jetëgjatësisë në pandemi.
Në të kundërt, Barbados, Zelanda e Re dhe Antigua dhe Barbuda renditen si disa nga zonat me vdekshmërinë më të ulët të tepërt.
Studimi ynë sugjeron që, pavarësisht humbjeve të tmerrshme të jetës që bota ka pësuar për shkak të pandemisë, në 72 vitet që nga viti 1950 ne kemi bërë përparim të jashtëzakonshëm me vdekshmërinë foshnjore që vazhdon të bjerë globalisht.
Gbd 2021 tregon gjithashtu se duke filluar nga viti 2017, shkalla e rritjes së popullsisë globale filloi të bjerë pas vitesh stagnimi dhe rënia u përshpejtua gjatë pandemisë Covid-19.
56 vende arritën kulmin e popullsisë në vitin 2021 dhe tani raportojnë reduktime, ndërsa rritja vazhdoi në shumë vende me të ardhura të ulëta.
Së fundi, analiza vërteton se popullsia po plaket globalisht midis viteve 2000 dhe 2021, numri i mbi 65 vjeç u rrit më shpejt se ai i nën 15 vjeç në 188 vende dhe territore.
“Ngadalësimi i rritjes dhe plakjes së popullsisë, së bashku me zhvendosjen e rritjes së ardhshme të popullsisë drejt vendeve më të varfra në planet dhe me rezultate më të këqija shëndetësore, do të çojnë në sfida të paprecedentë sociale, ekonomike dhe politike”, paralajmëron Schumacher.



