
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, do të vizitojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 24 janar.
Kjo konfirmohet nga axhenda zyrtare e publikuar nga Këshilli Europian.
Presidenti i Këshillit Europian viziton Shqipërinë një javë pas Komisionerit Për Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili zhvilloi takime me krerët më të lartë të politikës në vend, si dhe vizitoi zonat e prekura nga tërmeti.
Vetëm pak ditë më parë, Komisioneri i BE për Zgjerimin rikonfirmoi faktin se BE dhe ai vetë e kanë prioritet Ballkanin Perëndimor, ndaj u realizua dhe kjo vizitë e tij e parë në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri.
Ndërsa Komisioni Europian ka konfirmuar se, i qëndron besnik rekomandimeve për hapjen e negociatave për Shqipërinë, duke shprehur besimin për një vendim pozitiv nga Këshilli përpara Samitit të Zagrebit në maj.
Konferenca e Donatorëve që do të mbahet më 17 shkurt në Bruksel, do të japë mbështetje për Shqipërinë pas tërmetit të 26 nëntorit.



