
Këshilli i Lartë i Prokurorisë pezulloi nga detyra e prokurorit Xhevahir Litën, drejtues në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës. Deri në zgjedhjen e një drejtuesi të ri, kjo zyrë Prokurorie do të drejtohet nga Enkeleda Hoxha. Vendimi u mor pas operacionit të SPAK, që çoi në pranga Litën. Kujtojmë që gjatë operacionit “Metamorfoza” u arrestuan disa persona, mes të cilëve biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe ish- shefi i Drejtorisë së Forcës Operacionale, Oltion Bistri. Në njoftimin e KLP thuhet: "Sot më datë 31.07.2023 Këshilli i Lartë i Prokurorisë, u thirr në mbledhje urgjente nga Kryetari i Këshillit, zoti Balla. Dy vendimet që u morën sot janë: 1. Pezullimi nga detyra e prokurorit Xhevahir Lita, drejtues në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës. 2. Hapja e garës për drejtues në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës. Deri në zgjedhjen e një drejtuesi të ri, kjo zyrë Prokurorie do të drejtohet nga Zv/ Drejtuesja, Enkeleda Hoxha".



