Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Eduard Selami, i ka telefonuar kryetarit të rikonfirmuar, Lulzim Basha, për ta uruar për fitoren. Këtë fakt e ka konfirmuar vetë Selami në një dalje sot në mesditë.
“Ka një votim, ky votim është bërë dhe unë respektoj çdo votim. Kam telefonuar z.Basha sot dhe i kam uruar fitoren dhe ju bëj thirrje të gjithë demokratëve dhe atyre që nuk kanë votuar për mua, hajdeni të bashkohemi që t’i japin Shqipërisë një opozitë të fortë dhe unë do të jap të gjithë kontributin tim që kjo të realizohet.
Pavarësisht se zgjedhjet ishin të pabarabarta, ky ishte një hap i rëndësishëm përpara. Unë kam hartuar një platformë konkrete që zgjedhjet e tjera që do të vijnë të jenë më të mira dhe unë mendoj se Partia Demokratike ka dalë më e fortë dhe unë do të japë kontributin tim si anëtar i PD që ajo të kthehet në shpresë për të gjithë shqiptarët”, tha ai.



