Ish-kryeministri Berisha i është drejtuar kreut të qeverisë nga protesta në çadër, duke i kërkuar largimin nga detyra. Berisha akuzoi Ramën se e ka mbushur vendin me drogë dhe i ka varfëruar shqiptarët, të cilëve mund t’u blejë votat me paratë e drogës. Berisha tha se Rama meriton një fund të tmerrshëm, por opozita është e bindur në arritjen e qëllimeve të saj me mjete paqësore.
“Ka ekzistuar në Panama një si ti. Noriega quhej. Ai e mbushi vendin me drogë. Por marinsat amerikanë zbarkuan dhe e gjetën në një bunker. I dhanë 101 vjet burg. Ty të garantoj se nuk të vijnë marinsat amerikanë, por rambot e demokracisë që do të të nxjerrin nga leckat. Largohu më mirë se po të pret një fund i tmerrshëm, që ti e meriton por që ne kemi vendosur të ecim me një qeveri teknike që të çojmë vendin në zgjedhje. Pse je ti një njeri i pangopur dhe kërkon narkoeurot për parajsën tënde, pse je ti përdorues droge, i droguar, kjo nuk do të thotë që fëmijët e shqiptarëve duhet të drogohen”, tha ai.



