
SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim katër të akuzuarit për rrëmbimin dhe vrasjen e Renis Dobrës, konkretisht Fation Bushgjokaj, Petrit Hoxha (Çakraj), Kristë Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj.
Konkretisht të dyshuarit akuzohen për ngjarjen e ndodhur më 8 korrik 2025, ku Fation Bushgjokaj, Petrit Hoxha (Çakraj), Kristë Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj kanë kryer veprime të koordinuara me qëllim rrëmbimin dhe mbajtjen peng të shtetasit R.D.
Nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë dhe të dhënave të pajisjeve GPS të automjeteve të marra me qira dhe provave të tjera të administruara gjatë hetimit, është dokumentuar lëvizja e të pandehurve në qytetin e Burrelit dhe në aksin rrugor Klos–Zenisht, në kërkim të viktimës. Sipas hetimit, pranë vendit të quajtur “Ura e Matit”, shtetasi R.D., është pikasur në automjetin e tij Benz dhe është ndjekur nga automjeti Hyundai Santa Fe, në të cilin ndodheshin Petrit Hoxha (Çakraj) dhe Kristë Bushgjokaj.
Të dyshuarit provohet se kanë sinjalizuar Fation dhe Aleksandër Bushgjokajn, të cilët ndodheshin në një automjet tjetër, Range Rover.
Ndjekja ka vijuar deri në vendin e quajtur “Kroi i Suçit”, ku rreth orës 21:58, provohet se automjeti Range Rover i ka bllokuar rrugën viktimës. Sipas rezultateve të hetimit, Renis Dobra, është nxjerrë forcërisht nga automjeti i tij dhe nën dhunën e autorëve, është futur në automjetin Range Rover.
Më pas të tre automjetet kanë ecur njëri pas tjetrit nga qyteti i Burrelit në drejtim të Ulzës dhe Shkopetit, ku provohet se është dhunuar dhe më pas i është shkaktuar vdekja shtetasit Renis Dobra nga autorët e veprës penale. Kjo vërtetohet edhe nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor.
Sipas hetimit, më pas automjeti i viktimës, së bashku me trupin e tij, është hedhur në drejtim të ujërave të liqenit të Ulzës, me qëllim fshehjen dhe zhdukjen e tij.
Nga analiza e lëvizjeve të automjeteve, këqyrja e kamerave pranë vendngjarjes, pajisjeve GPS, tabulateve telefonike dhe të dhënave të nxjerra nga pajisjet telefonike të personave nën hetim, është arritur në përfundimin se plani për rrëmbimin dhe vrasjen e shtetasit Renis Dobra ka qenë i strukturuar dhe i koordinuar, duke e kryer veprën penale në kuadër të bashkëpunimit të posaçëm të grupit të strukturuar kriminal.
Katër të pandehurit akuzohen për veprat penale: “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Grup i strukturuar kriminal”; “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.



