Kreu i PD, Lulzim Basha në një intervistë televizive ka komentuar situatën e pandemisë, atë politike dhe sociale në vend.
Lidhur me opinionin paraprak të Komisionit të Venecias për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Basha thekson qartë se ky është një tjetër konfirmim i aktit anti-kushtetues dhe anti-demokratik të ndërmarrë nga kryeministri Edi Rama për zgjedhjet e 25 prillit.
Madje Basha i qëndron rekomandimit të Komisionit të Venecias që çdokush të kandidojë në vetëm një zonë, dhe jo kryetarët e partive të kenë të drejtë të garojnë në këtër zona.
Përkitazi me aspirimin në zgjedhjet e 25 prillit dhe faktit se si po qëndron lidhja mes opozitës, Basha, u shpreh se fokusi i përbashkët i tyre është se do të garojnë bashkë për ndryshimin, që sipas tij e duan shqiptarët.
“Fokusi ynë do të jetë dhe do të mbetet tek oferta ndaj qytetarëve dhe bashkimi me këtë shumicë absolute që ka një dhe vetëm një aspiratë më 25 prill ndryshimin.
Opozita është e bashkuar dhe nuk ka asnjë formulë, asnjë dallavere që do të mund të na përçajë. Ne jemi të bashkuar, ne do të garojmë të bashkuar, ne do të fitojmë të bashkuar, me shumicën dërrmuese të shqiptarëve që duan ndryshim".
Basha, tha se opozita shkon përtej sinoreve të partive opozitare, prandaj ajo është e bashkuar në çdo aspekt, përfshirë edhe taktikat se si do të hyjë në zgjedhje.
Ai shton se PD nuk është vonë me përzgjedhjen e kandidatëve apo me fushatën, madje konstaton se opozita është muaj përpara PS sa i përket kësaj të fundit në terren.
“Opozita është e bashkuar ne çdo aspekt, në aspektin e strategjisë, të programit, të taktikave. Ajo që na bashkon është objektivi dhe është një objektiv që shkon përtej sinoreve të partive opozitare. Është një objektiv që bashkon shumicën dërrmuese të shqiptarëve, nevoja për ndryshim.
Ndryshimi do të jetë i shpejtë edhe i thellë dhe jo thjeshtë një ndryshim karrigesh. Për shqiptarët nuk ka nevojë që të ndërrojnë karriget X apo Y por kanë nevojë për një ndryshim të thellë që do të thotë ndryshim i politikave.
Ne jemi muaj në terren përpara se PS apo Edi Rama të kujtohet për fasadën e fushatës. Nuk ka fushatë në PS. Ka një përpjekje për të ringjallur mekanizmat ekstra politike të shit-blerjes së votes”.
Kryetari i PD, foli sërish për akuzat për numrin e vdekjeve nga koronavirusi.
Basha është shprehur se Partia Demokratike nuk ka akuzuar kurrë mjekët, por sipas tij “Është qeveria, është kryeministri ai që është përpjekur të fshehë këtë të vërtetët të dhimbshme duke keqpërdorur mjekët, njerëzit që kanë nevojë sot për mbështetjen tonë pavarësisht prej dallimeve politike”.
Mes të tjerash, ai tregoi edhe një dokument, që sipas tij, tregon numrin e vërtetë të viktimave në Shkodër deri në fund të nëntorit, ku vetëm në Bashkinë Shkodër është 80, nga 62 të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë në gjithë Qarkun e Shkodrës.



