Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se letra e djeshme e Qeverisë Kurti edërguar në Këshillin e Evropës, nuk është konsultuar e dakorduar me kryetaren e shtetit.
“Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën”, thuhet në deklaratën nga Presidenca.
Në deklaratë po ashtu vihet në dukje se Osmani do të mbështesë çdo veprim në drejtim të realizimit të anëtarësimit, në përputhje të plotë me interesat shtetërore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.



